Aktualitet

Zjarret në vend/ 4 vatra aktive, angazhohen 164 forca dhe 13 mjete zjarrfikëse

Në total, për përballimin e situatës në terren janë angazhuar 164 forca operacionale dhe 13 automjete zjarrfikëse. Forcat e Armatosura kanë kontribuar me 90 efektivë dhe dy helikopterë.

M.K.
Zjarret në vend/ 4 vatra aktive, angazhohen 164 forca dhe 13 mjete
FOTO NGA ZJARRET

TIRANË- Ministria e Mbrojtjes ka bërë të ditur përditësimin e fundit mbi situatën e zjarreve në vend, ku vijojnë të jenë aktive 4 vatra, ndërsa dy të tjera janë nën mbikëqyrje.

Sipas të dhënave operacionale të orës 20:00 të datës 1 shtator, në të gjithë territorin janë raportuar 17 vatra zjarri. Prej tyre, 11 janë shuar plotësisht, 2 janë nën monitorim dhe 4 vijojnë të jenë aktive.

Vatrat aktive janë në Dajt, Vajkal të Bulqizës, Lundre të Matit dhe Therepel të Skraparit.

Në Dajt, operacioni vijon në drejtim të Qafë-Priskës, ku janë angazhuar 68 forca. Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, nuk paraqitet rrezik për zonat e banuara.

Në Vajkal të Bulqizës, flakët vijojnë në një terren shkëmbor, ndërsa sipërfaqja e përshkuar nga zjarri ka kaluar 13 hektarë. Në terren ndodhen 48 forca, ndërsa nuk raportohet rrezik për banesat.

Situata vijon të monitorohet edhe në Lundre të bashkisë Mat, ku era favorizon përhapjen e flakëve. Në operacion janë përfshirë strukturat vendore, vullnetarë, 30 efektivë të Forcave të Armatosura dhe një helikopter.

Në Therepel të Skraparit, në përpjekjet për shuarjen e zjarrit janë angazhuar forca të MZSH-së nga Skrapari, Berati dhe Poliçani, vullnetarë dhe një helikopter i Forcave të Armatosura.

Ndërkohë, zjarret në Qafën e Lugut–Vithkuq dhe në malin e Qukësit–Prrenjas janë nën mbikëqyrje dhe aktualisht nuk paraqesin rrezik për zonat e banuara.

Në total, për përballimin e situatës në terren janë angazhuar 164 forca operacionale dhe 13 automjete zjarrfikëse. Forcat e Armatosura kanë kontribuar me 90 efektivë dhe dy helikopterë.

Ministria e Mbrojtjes, përmes Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, vijon koordinimin me prefekturat, bashkitë dhe strukturat e Mbrojtjes Civile për monitorimin e situatës dhe ndërhyrjen në zonat ku paraqitet nevoja.

NJOFTIM:

Ministria e Mbrojtjes - përditësim mbi situatën e zjarreve

(1 Shtator 2026 - ora 20:00)

Sipas informacionit operacional të datës 01.09.2026, ora 20:00, në territorin e vendit janë raportuar 17 vatra zjarri, nga të cilat 4 mbeten aktive, 2 janë nën mbikëqyrje dhe 11 janë shuar plotësisht.

Për përballimin e situatës janë angazhuar 164 forca operacionale dhe 13 automjete zjarrfikëse, ndërsa Forcat e Armatosura kanë mbështetur operacionet me 90 efektivë dhe 2 helikopterë.

Situata aktive paraqitet në Dajt, Vajkal, Lundre dhe Therepel.

Në Dajt vijon puna në drejtim të Qafë-Priskës, me 68 forca, pa rrezik për zonat e banuara.

Në Vajkal të Bulqizës zjarri vijon në terren shkëmbor, me mbi 13 ha të përshkuara dhe 48 forca të angazhuara, pa rrezik për banesat.

Në Lundre, bashkia Mat, situata favorizohet nga era. Në operacion janë angazhuar strukturat vendore, vullnetarë, 30 efektivë të FA dhe 1 helikopter.

Në Therepel, Skrapar, në operacion janë angazhuar forca të MZSH nga Skrapari, Berati dhe Poliçani, vullnetarë, si dhe 1 helikopter i FA.

Ndërkohë, vatrat në Qafën e Lugut–Vithkuq dhe malin e Qukësit–Prrenjas janë nën mbikëqyrje dhe nuk paraqesin rrezik për zonat e banuara.

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile (AKMC) vijon të ndjekë në mënyrë të pandërprerë situatën në të gjithë territorin e vendit, në koordinim të ngushtë me prefekturat, bashkitë dhe të gjitha strukturat e sistemit të Mbrojtjes Civile.

Kapacitetet operacionale mbeten të angazhuara në terren dhe në gatishmëri për të ndërhyrë aty ku situata e kërkon, me prioritet mbrojtjen e jetës, banesave dhe pasurisë së qytetarëve./ZËRI

Poll

MOS HUMB