DURRËS- Banorët e prekur nga projekti Transformimi i Integruar i Durrësit (TID) të Durrësit kanë dalë sërish në protestë. Këtë të martë, ata u paraqitën në Bashkinë e Durrësit me anë të një përfaqësie të tyre, me dokumente, skica e vendime në duar që sipas banorëve kishin të bënin me zhbërjen e projektit TID.
Banorët e zonës kërkojnë nga Bashkia që të shfuqizojë VKM e 30 korrikut dhe projekti të ribëhet nga e para, por me asistencën e vetë banorëve. Ata pretendojnë se me anë të një VKM, qeveria kishte përjashtuar nga lista e prishjeve 20 shtëpi banimi, nga 74 të parashikuara fillimisht, dhe tani pretendojnë se duhet anuluar i gjithë projekti.
Sipas dokumenteve ligjore, me hyrjen në fuqi të VKM-së nr. 621 të korrikut 2026, është shfuqizuar vendimi i vitit 2020 që shpallte Zonën 5 si zonë për zhvillim, mbi të cilin u ngrit i gjithë projekti i rikualifikimit urban pranë Parkut Arkeologjik dhe Amfiteatrit.

Sakaq, banorët kërkojnë rishqyrtim të projektit, përditësim të listave të pronave, ndërsa paralajmërojnë se do t'i drejtohen këshilit bashkiak për t'i kërkuar pezullimin e 'TID'.
“Projekti TID nuk mund të vazhdojë kështu. Projekti ka rënë që në momentin që ata diskutojnë për rishikim. Një pjesë e mirë e banorëve po sigurojnë edhe dokumentet e pronave që ishin lënë të pambyllura. Institucionet duhet të marrin masa, projekti nuk është pezulluar, por po e rishikojnë dhe tregon që ai ekzistues nuk është në fuqi. Hapi ynë i radhës do të jetë pranë këshillit bashkiak që do t’i kërkojmë të pezullojnë TID dhe nëse nuk e bëjnë, kemi një proces të hapur gjyqësor që mund ta pezullojë pjesërisht gjykata. Kanë firmosur 65 banorë të prekur”, tha Entela Spahivogli.
“Shtëpinë nuk e lëshon njeri për lulishte”, tha banorja Rita Kazazi.
Projekti i quajtur “TID, Transformimi i Integruar i Durrësit”, është një iniciativë që, sipas qeverisë, synon revitalizimin urban të zonës historike dhe është zhvilluar bashkërisht nga Qeveria, Bashkia e Durrësit dhe Fondacioni Shqiptaro‑Amerikan për Zhvillim (AADF). Qëllimi i këtij projekti është restaurimi i rrugëve, fasadave historike dhe krijimi i një hapësire turistike që integron monumentet arkeologjike me funksione bashkëkohore urbanistike.
Por për banorët e zonës, ky projekt nuk është vetëm një plan zhvillimi: ai është kërcënim real për shtëpitë, historinë familjare dhe vazhdimësinë e komunitetit autokton në këtë zonë.
Projekti i rijetëzimit të bulevardit historik “Epidamn”, i njohur si TID Durrës, parashikon shpronësimin e 74 familjeve durrsake, për të cilin qeveria ka akorduar një fond prej 315.5 milionë lekësh. Banorët kundërshtojnë vlerën e shpronësimit, pasi sipas tyre, është e pamundur që me këtë vlerë të blejnë një shtëpi./ZËRI