Aktualitet

Tragjedia në Vaun e Dejës, reagon Urgjenca: Ambulanca kishte defekt teknik, ndihma u nis nga Shkodra!

Në përfundim të reagimit, Urgjenca Mjekësore shpreh keqardhjen e thellë, ndërsa sqaron se goditja elektrike përbën një urgjencë mjekësore me rrezik shumë të lartë për jetën ku në rastet më të rënda mund të shkaktojë arrest kardiak dhe vdekje të menjëhershme. 

zh.ll
Tragjedia në Vaun e Dejës, reagon Urgjenca: Ambulanca kishte defekt
Në foto dy viktimat

VAU I DEJËS- Qendra Kombëtare e Urgjencës Mjekësore (QKUM) ka reaguar lidhur me ngjaren tragjike të 29 gushtit, ku në fshatin Karmë të Vaut të Dejës humbën jetën dy persona pasi ranë në kontakt me energjinë elektrike. 

Në reagimin zyrtar, QKUM sqaron se thirrja në urgjencë për rastin e parë ka mbërritur në orën 18:03, por në atë moment ambulanca e Vaut të Dejës ndodhej jashtë funksionit për shkak të një defekti teknik. Sakaq, drejt vendngjarjes është nisur ambulanca nga Spitali i Shkodrës, e cila ka mbërritur në orën 19:44. Më tej, Qendra e Urgjencës thekson se pak minuta më vonë ka mbërritur thirrja për rastin e dytë, ku sipas vlerësimit fillestar personi rezultonte pa shenja jete. 

Në përfundim të reagimit, Urgjenca Mjekësore shpreh keqardhjen e thellë, ndërsa sqaron se goditja elektrike përbën një urgjencë mjekësore me rrezik shumë të lartë për jetën ku në rastet më të rënda mund të shkaktojë arrest kardiak dhe vdekje të menjëhershme. 

“Në lidhje me ngjarjen tragjike të datës 29 gusht 2026 në Vaun e Dejës, Qendra Kombëtare e Urgjencës Mjekësore (QKUM), në funksion të transparencës dhe informimit të saktë të publikut, sqaron dinamikën e ndërhyrjes së shërbimit të urgjencës mjekësore.

Në këtë ngjarje janë regjistruar dy raste të veçanta, të dyja si pasojë e goditjes nga rryma elektrike, të ndodhura në momente të ndryshme. Rasti i parë është raportuar si urgjencë për goditje elektrike. Në vendngjarje ndodhej një infermiere e zonës, e cila kishte nisur menjëherë manovrat e reanimimit kardiopulmonar, pa mundur të rikthente qarkullimin spontan.

Sipas të dhënave të regjistruara në sistemin e urgjencës, thirrja është marrë në orën 18:03. Në atë moment, ambulanca e Vaut të Dejës ndodhej jashtë funksionit për shkak të një defekti teknik. Për këtë arsye, drejt vendngjarjes është nisur ambulanca nga Spitali i Shkodrës, e cila ka mbërritur në orën 19:44.

Manovrat e reanimimit janë vijuar edhe gjatë transportit drejt Spitalit të Shkodrës. Pavarësisht përpjekjeve të personelit shëndetësor, nuk u arrit rikthimi i qarkullimit spontan dhe pacienti humbi jetën. Rasti i dytë i përkiste elektricistit, i cili, disa minuta më vonë, kishte shkuar në vendngjarje për të ndërhyrë në problemin elektrik. Gjatë ndërhyrjes, edhe ai u godit nga rryma elektrike dhe humbi jetën.

Për këtë rast, kërkesa për ndihmë mjekësore është regjistruar në orën 18:53. Në vlerësimin fillestar, personi rezultonte pa shenja jete. Në këtë moment, ambulanca e dytë nga Shkodra është nisur drejt vendngjarjes dhe ka mbërritur në orën 19:54. Rasti është konstatuar dhe referuar si Kod i Zi në vendngjarje.

Goditja elektrike përbën një urgjencë mjekësore me rrezik shumë të lartë për jetën dhe, në rastet e rënda, mund të shkaktojë arrest kardiak dhe vdekje të menjëhershme. Mbi çdo sqarim institucional, kjo mbetet para së gjithash një ngjarje tragjike, e cila solli humbjen e dy jetëve njerëzore. Qendra Kombëtare e Urgjencës Mjekësore shpreh keqardhjen e thellë për këtë humbje dhe u përcjell ngushëllimet më të sinqerta familjeve dhe të afërmve të dy viktimave. Në këto momente të vështira, QKUM bashkohet me dhimbjen e familjeve për humbjen e njerëzve të tyre të dashur”, thuhet në njoftimin e Qendrës Kombëtare të Urgjencës Mjekësore.

Reagimi i Urgjencës Mjekësore vjen disa orë pas protestës së banorëve të Vaut të Dejës, të cilët ngritën akuza për vonesën e ambulancës në ngjarjen ku humbën jetën David Deda dhe Sokol Preka.

Ngjarja e rëndë u regjistrua mbrëmjen e 29 gushtit në fshatin Karmë të Vaut të Dejës. Sipas Policisë, ngjarja e rëndë ndodhi teksa të dy personat po rregullonin një instalim të brendshëm elektrik në një biznes privat anës rrugës së Komanit, i cili funksiononte si lokal. Viktimat mbetën roja i lokalit Sokol Preka, 40 vjeç, dhe David Deda, 46 vjeç, me profesion elektricist në nënstacionin elektrik të Komanit./ZËRI

Poll

MOS HUMB