TIRANË- Ministria e Mbrojtjes përditëson situatën e zjarreve në vend, ku deri në orën 20:00 janë raportuar 27 vatra, prej të cilave 17 janë shuar, 2 janë nën mbikëqyrje dhe 8 vijojnë aktive.
Në terren janë angazhuar 265 forca operacionale, 38 automjete zjarrfikëse dhe 170 efektivë të Forcave të Armatosura. Ndërkohë, helikopterët e Forcës Ajrore kanë ndërhyrë në katër operacione.
Situata më problematike paraqitet në qarkun e Lezhës, veçanërisht në zonën Kalivaç-Zimaj-Kashnjet, ku është bërë edhe evakuimi i banorëve. Ndërhyrjet vijojnë gjithashtu në disa zona të Dibrës, Tiranës dhe Shkodrës.
NJOFTIM:
Ministria e Mbrojtjes - përditësim mbi situatën e zjarreve
(3 Shtator 2026 - ora 20:00)
Sipas informacionit operacional të datës 03.09.2026, ora 20:00, situata e zjarreve në vend vijon të menaxhohet me angazhim të koordinuar të strukturave vendore dhe qendrore.
Janë raportuar 27 vatra zjarri, prej të cilave 17 janë shuar plotësisht, 2 janë nën mbikëqyrje dhe 8 mbeten aktive.
Në operacione janë angazhuar 265 forca operacionale dhe 38 automjete zjarrfikëse, të mbështetura nga 170 forca ushtarake dhe 3 automjete zjarrfikëse të Forcave të Armatosura, ndërsa helikopterët e Forcës Ajrore kanë ndërhyrë në 4 operacione.
Vëmendja kryesore është përqendruar në qarqet Dibër, Lezhë, Tiranë dhe Shkodër.
Në Dibër, operacionet vijojnë në Vajkal, Lundre–Madhesh dhe Mallunxë–Lis, me angazhim të konsiderueshëm të forcave tokësore dhe mbështetje ajrore në zonat e Matit; në këto vatra nuk raportohen rreziqe për zonat e banuara.
Në Dajt, pavarësisht riaktivizimit të një vatre, janë angazhuar 60 forca dhe nuk ka rrezik për zonat e banuara.
Situata më problematike paraqitet në qarkun Lezhë, veçanërisht në zonën Kalivaç–Zimaj–Kashnjet, ku u realizua evakuimi i banorëve dhe ndërhyrja u përforcua me 2 helikopterë të Forcës Ajrore, 50 forca ushtarake dhe 3 automjete zjarrfikëse, krahas strukturave vendore.
Ndërkohë, në Mnelë të Vogël, Vau i Dejës, intensiteti i zjarrit është ulur dhe rreziku për zonat e banuara është shmangur, ndërsa vijon puna për shuarjen përfundimtare.
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile (AKMC) vijon të ndjekë në mënyrë të pandërprerë situatën në të gjithë territorin e vendit, në koordinim të ngushtë me prefekturat, bashkitë dhe të gjitha strukturat e sistemit të Mbrojtjes Civile.
Kapacitetet operacionale mbeten të angazhuara në terren dhe në gatishmëri për të ndërhyrë aty ku situata e kërkon, me prioritet mbrojtjen e jetës, banesave dhe pasurisë së qytetarëve./ZËRI