FIER- Dy të paraburgosur janë vendosur në masën e sigurisë arrest në burg, ndërsa katër punonjës të Burgut të Fierit janë përfshirë në një procedim penal, pas hetimeve të nisura për një telefon celular të gjetur gjatë një kontrolli në ambientet e institucionit të vuajtjes së dënimit.
Ngjarja është regjistruar më 24 qershor 2026, kur gjatë kontrollit të një dhome ku qëndronte shtetasi me inicialet K.C eshtë konstatuar një aparat celular i dyshuar.
Sipas Agjencisë së Mbikëqyrjes në Sistemin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale, gjatë veprimeve të para hetimore është konstatuar se telefoni që ishte raportuar si provë materiale nuk ndodhej më në vendin ku ishte dokumentuar incidenti.
Pikërisht mungesa e aparatit ka bërë që çështja të vijojë me hetime të mëtejshme, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier.
Pas hetimeve, gjykata ka vendosur masën 'Arrest në burg' për dy të paraburgosurit, ndërsa ndaj katër punonjësve të institucionit janë caktuar masa të ndryshme sigurie.
Në mesin e punonjësve nën masë sigurie është edhe përgjegjësi i godinave B dhe C, ndërsa tre punonjës të tjerë të rolit bazë, të sektorit të godinës A, janë përfshirë gjithashtu në procedim.
Për punonjësit janë vendosur masat 'Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik', 'Ndalimi i daljes jashtë shtetit' dhe 'Detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore'.
Njoftimi i AMSEVP:
Njoftim nga Agjencia e Mbikëqyrjes në Sistemin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, janë kryer veprime me metoda speciale të hetimit në funksion të procedimit penale nr. 1118/2026, në lidhje me ngjarjen e datës 24.06.2026 të ndodhur në IEVP Fier, ku AMSEVP është njoftuar se nga kontrolli që ka ushtruar në dhomën ku vuan dënimin shtetasi i burgosur K.C, u gjetën një aparat i dyshuar celular për të cilin i burgosuri ka pranuar autorësinë.
Gjatë kryerjes së veprimeve të para procedurale nga AMSEVP është konstatuar se në vendngjarje mungonte prova materiale telefon celular, për të cilin ishte raportuar dhe përpiluar raporti i incidentit.
Në vijim të veprimeve hetimore, në lidhje me këtë ngjarje, Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, ka vendosur:
-masën e sigurimit personal ‘arrest me burg’ për shtetasit e paraburgosur K.C dhe B.P,
si dhe masat e sigurimit personal “Pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”, “ndalimi i daljes jashtë shtetit” dhe “Detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” për shtetasit:
1. M.B, me detyrë përgjegjës i godinës B dhe C
2. E.H, me detyre punonjës i rolit bazë në sektor, Godina A
3. S.H, me detyre punonjës i rolit bazë në sektor, Godina A
4. J.M, me detyre punonjës i rolit bazë në sektor, Godina A
/ZËRI