
DROPULL- Dy avionë zjarrfikës të tipit Canadair CL-415 të Forcave Zjarrfikëse të Greqisë po asistojnë në operacionin për shuarjen e zjarrit të madh në Shqipëri.
Avionët, që do kenë bazën e tyre në aeroportin e Korfuzit, ndodhen tashmë në ishullin grek nga ku u ngritën mëngjesin e sotëm. Dërgimi i avionëve u paralajmërua nga autoritetet më pare, ndërkohë që është konfirmuar dhe nga ministri i mbrojtjes Niko Peleshi, i cili shkruan në një postim:
Dy avionë të tipit Canadair sapo nisën ndërhyrjen nga ajri për fikjen e flakëve në Dropull dhe Finiq.
Avionët grekë, vijnë si mbështetje për Shqipërinë përmes Mekanizmit Evropian të Mbrojtjes Civile dhe i bashkohen përpjekjeve të Forcave tona të Armatosura, zjarrëfikësve, punonjësve të emergjencave civile dhe strukturave vendore që prej 2 ditësh po luftojnë me flakët atje.
Mirënjohje për gatishmërinë e treguar për të sjellë mjete ajrore edhe qeverisë italiane dhe asaj kroate.
Mediat greke i kanë dhënë një hapësirë të madhe në portalet e tyre, zjarrit që prej dy ditësh ka shpërthyer në zonën e Dropullit që vijon të djegë sipas tyre në mënyrë të pakontrolluar zonat pyjore dhe kërcënon edhe zonat e banuara.
Prej disa ditësh, Bashkia e Dropullit dhe e Finiqit po përballen me zjarre masive, të cilat janë përhapur me shpejtësi.
Gjatë pasdites së djeshme ka pasur përmirësim të situatës së zjarrit në fshatin Grapsh në Dropull dhe në fshatin Kardhikaq në Finiq, duke mos shfaqur më rrezik për banorët dhe banesat e fshatrave.
Megjithatë forcat operacionale të Dropullit, Gjirokastrës, Tepelenës, Përmetit, Këlcyrës, Memaliajt, Finiqit, Sarandës, Himarës, Delvinës dhe Konispolit vijojnë punën për shuarjen e zjarrit, pasi rreziku për riaktivizimim e vatrave vijon si pasojë e ndryshimit të shpejtësisë së erës.
Forcat e Armatosura dhe helikopteri Cougar po ndihmojnë në shuarjen e flakëve, ndërsa janë shtuar në këtë aksion edhe tre mjete zjarrfikëse të FA./ZËRI