Aktualitet

Zjarr i madh në Shkodër/ Digjen 25 njësi tregtare dhe 5 banesa, Benet Beci: Situata e stabilizuar!

Shumë banorë janë evakuuar në rrugën ‘Ndoc Mazi’.

f.t
Zjarr i madh në Shkodër/ Digjen 25 njësi tregtare dhe 5 banesa,
PAMJE NGA NGJARJA

SHKODËR-Një zjarr masiv përfshiu këtë pasdite tregun e rrobave të përdorura në Shkodër. Ngjarja ndodhi në lagjen Perash. Flakët në tregun e rrobave të përdorura në Shkodër kanë marrë përmasa të mëdha, ku raportohet se janë djegur 25 njësi tregtare dhe 5 banesa. Shumë banorë janë evakuuar në rrugën ‘Ndoc Mazi’. Policia, me anë të një njoftimi për mediat bën me dije se zjarrfikësit janë në terren dhe po punohet për shuarjen e flakëve. Ndërkohë në vend ngjarje ndodhen Emergjencat Civile dhe raportohet se kanë mbërritur mjete nga Malësia e Madhe e Ulqini. 

Gjithashtu kryebashkiaku Benet Beci mbajti një prononcim për gazetarët nga vendi ku ka rënë zjarri në Shkodër në lagjen e tregut të rrobave të përdorura. Beci tha se zjarri është vënë në kontroll dhe kanë ardhur mjete zjarrfikëse nga Lezha, Vau i Dejës, Ulqini dhe Tivati për të ndihmuar.

'Ka një orë e gjysëm që është stabilizuar situata. Ka qenë një betejë për të menaxhuar dhe marrë në kontroll situatën e zjarrit. Jam i gëzuar që tani nuk ka më rrezik. Është stabilizuar situata. Ka qenë shumë e rëndë  dhe faleminderit zjarrfikësve të Lezhës, të Vaut të Dejës. Kanë ardhur nga Ulqini. I falënderoj shumë, kjo situatë ku zjarrëfikësit nuk kishit mundësi të futesh, kjo katrahurë urbanistike ka qenë shqetësim i madh. Ka akoma punë për të pastruar situatë dhe për ta venë në kontroll. Nuk kemi pasur dëme në njerëz dhe situata është në kontroll. Grupet e vlerësimit do vijnë në terren. Instancat janë të organizuara. Organizimi ka qenë shumë i mirë dhe është marrë shpejt situata në kontroll. S’ka pas ndonjëherë në Shkodër një rrezik shumë të madh',-tha Benet Beci.

Njëkohësisht po hetohet edhe shkaku i rënies së zjarrit. Fatmirësisht dëmet janë vetëm materiale dhe nuk raportohet për persona të lënduar./ZËRI

 

 

Poll

MOS HUMB