
TIRANË- Detaje të reja janë zbardhur pas arrestimit të ish-nëndrejtorit të Policisë së Tiranës, Erzen Breçanit dhe djalit të tij Eralbi Breçani. Babë e bir akuzohen për përkrahje të autorit të krimit dhe pastrim parash.
Por nga hetimet zbulohet se ekziston edhe një lidhje familjare mes Breçanit dhe bizesmenit në kërkim Ervin Matës. Kjo pasi Eralbi Breçani është martuar me motrën e Ervin Matës. Shkak i lidhjes, dyshohet se ish-nëndrejtori i Policisë së Tiranës ka përkrahur të kërkuarin e drejtësisë në krim dhe pastrim parash.
Në kuadër të aksionit SPAK ka lëshuar dhe një urdhër-arresti për Ervin Matën, i cili është shpallur në kërkim pasi nuk është gjendur në Tiranë. Mata është një emër i njohur për drejtësinë, pas përplasjes që ka patur me bosin e lojërave të fatit, Ervis Martinaj, në një lokal në ish-Bllok në vitin 2018, ku për pasojë mbeti i vrarë Fabjol Gaxha.
SPAK ka lëshuar mbrëmjen e sotme 11 urdhër-arreste për goditjen e një grupi të strukturuar kriminal. Urdhër-arrestet kanë ardhur pas zbërthimeve të bisedave në aplikacionin “SkyEcc”. Në kuadër të operacionit është arrestuar ish-drejtori i Policisë së Tiranës, Erzen Breçani dhe djali i tij Eralbi Breçani. Gjithashtu në pranga është vënë shefi i Krimeve të Komisariatit nr.6, Dedan Gjoni dhe Jonida Babameto, oficere e drejtorisë së kufirit dhe migracionit. Në aksionin e zhvilluar nga SPAK mësohet se mes të arrestuarve janë edhe 7 efektivë policie. Mbi të arrestuarit rëndojnë akuzat pastrim parash, grup i strukturuar kriminal, trafik droge, sigurim kushtesh për të kryer vrasje, shpërdorim detyre dhe përkrahje të autorit të krimit. /Zëri.ai/