
TIRANË- Erzen Breçani është arrestuar sot, së bashku me djalin e tij, Eralbin! Babë e bir akuzohen për përkrahje të autorit të krimit në një ngjarje kriminale, por ende nuk dihet se për cilën bëhet fjalë. Mesazhet që kanë dërguar mes njëri-tjetrit por edhe personave të tjerë në rrjetin "SkyECC dhe Enchrochat", i kanë sjellë fundin edhe lirisë së tyre.
ZËRI do të risjellë historinë e personit që në nisjen e karrierës së tij arrestonte kriminelët teksa veshur mbante uniformën e "RENEA-s", ndërsa sot akuzohen pikërisht për mbështetjen e tyre. Madje me një prej tyre ka lidhur miqësi. Bëhet fjalë për lidhjen e kurorës së djalit të tij, Eralbit, me motrën e Ervin Matës. Edhe ky i fundit, po ashtu i shpallur në kërkim nga SPAK për krime, e po ashtu i përfshirë në masakrën e ish-Bllokut, ku mbeti i plagosur edhe armiku i tij i përbetuar, Ervis Martinaj. Është kjo lidhje krushqie që ka shtuar edhe miqësinë mes Matës dhe Breçanit. ZËRI ka mësuar se miqësia e tyre ishte zgjeruar, dhe Breçani kishte marrë përsipër edhe sigurinë fizike të Matës dhe familjarëve të tij. Fill pas përplasjes në ish-Bllok, apo të shtënave para 3 vitesh në Hotelin e babait të Matës, Viktoria, më përpara se në vendngjarje të shkonte Policia, atje ishte Erzen Breçani.
KARRIERA
Erzen Breçani ka lindur më 04.06.1970 në Tropojë. Gradën e kryekomisiarit e ka marrë që në vitin 1997. Fillimisht, u angazhua si komandant i repartit RENEA, ndërsa më pas, edhe me mbështetje politike, për të cilën do të sqarojmë më gjerësisht u vendos shef Komisariati në Kamëz, e më pas zv.drejtor i Policisë së Tiranës. Fundi i karrierës së tij erdhi pasi më tetor 2013, nga Tirana shkoi nëndrejtor në Dibër, për t'u larguar më pas nga Policia e për t'ju dedikuar biznesit privat. Edhe pse i larguar nga radhët e Policisë, për shkak të postit që ka mbajtur është ftuar shpesh herë në studio televizive si ish-zyrtar i lartë, por edhe si përfaqësues i shoqërisë private të sigurimit 'Brecani Security'. Megjithatë, është ndër më të njohurit edhe për lidhjet me ish-kryeministrin Sali Berisha dhe Partinë Demokratike, duke shkuar deri aty saqë kandidoi për deputet në qarkun e Tiranës.
Por cila ka qenë karriera e tij dhe si u ndërlidh me politikën?
PRILL 2014- Breçani në Facebook
Deri në vitin 2013, Breçani ishte një person i njohur vetëm për kriminelët dhe Policinë e Shtetit. Por u bë i njohur për përplasjen virtuale që kishte me maxhorancën socialiste. Pas publikimit të një mesazhi në Facebook, ku e krahasonte kryeministrin Edi Rama me Hitlerin dhe Enver Hoxhën, ish-zëvendësdrejtori i Policisë së Tiranës, Erzen Breçani akuzonte asokohe ministrin e Brendshëm, Saimir Tahirin dhe vetë Ramën për largimin e tij nga detyra. Madje pretendonte se ishte mënjanuar nga Policia pasi ishte me prejardhje nga Veriu i vendit. Për mesazhin e shpërndarë në Facebook, në Komisionin hetimor të Kuvendit, i ngritur për lëvizjet në Policinë e Shtetit, fajin ia hodhi të birit, Jehonit (edhe emri i tij bëhet i njohur).
“Nuk besoj se ishte këtu motivacioni i shkarkimit, por në karrierën time profesionale 20-vjeçare, Drejtori i Përgjithshëm që është sot dhe të tjerë, i dinë kontributet e mia për Policinë e Shtetit. Për arsye etike nuk mund t’i them, por ke këtu një njeri që i janë grisur rrobat nga plumbat e kriminelëve, duke luftuar me bandat…Nuk mund të më përmendësh mua Facebook, kur i ke të tëra mjetet që ta verifikosh atë Facebook. Ai mesazh është bërë nga fëmija im 10 vjeç Jehon Breçani, në një kohë kur unë isha në detyrë. Konfliktet i kam pasur për shkak të origjinës sime dhe punës, dhe këta i kthyen në konflikte personale dhe hakmarrje. Debatet nuk kanë qenë mirë të përgjithësoheshin nga ana politike. Dhe për mendimin tim në Policinë e Shtetit duhet të ketë dhe nga Veriu dhe nga Jugu, edhe të majtë edhe të djathtë. Largimi im ka ardhur për hakmarrje,”-deklaronte Breçani.
Megjithatë nuk ia doli që të rikthehet në detyrë, e shpejt u orientua nga "privati".
Kandidat për DEPUTET- 2017
Erzen Breçani ishte kandidat për deputet në njësinë Nr.4 në Tiranë. Por nuk kaloi përtej fazës së dytë. Asokohe PD vendosi të zgjidhte kandidatët fillimisht nga anëtarësia. E më pas kandidatët e kualifikuar në gjithë Shqipërinë u vlerësuan nga Komisioni i Përzgjedhjes. Me kapërcimin e fazave, fundi i historisë ishte i thjeshtë; Breçani nuk u bë kurrë deputet i PD-së.
"Per mua ishte hera pare qe ne keto vite te demokracise te pranoj te perfaqesohem nga propozimet e strukturave te PD edhe pse nuk kan munguar per vite me rradhe me pare por per shkak te profesionit dhe detyrave shtetrore ishte e pamundur te perfaqesohesha ne struktura partiake, propozimit te atyre njerezve qe jetoj me ta banoj me ta dhe kalova ma shum se gjysmen e jetes me ta ketu ne Njesin Nr4 ne vendin ku linden e u rriten femijet e mi niper e mbesa te mit vullnetin te tyre dhe demokrateve te zones nuk do e refuzoja kurr aty ne kete zone me njofin i njof prej 25 vitesh dhe pranova te jem perfaqesuesi i tyre per cdo hall problem shqetesim e cdo gje tjeter. Une e prisja nje rezultat konfirmues dhe pozitiv por ishte akoma me teper nje rezultat befasues qe me emocionoj shum me mbushi me shprese dhe me pergjegjesi nga 839 votues vetem 10 kunder i falenderoj te gjithe votuesit per mbeshtetjen e votbesimin falenderoj gjith popullin e njesise 4,"-shkruante ai në rrjetet e tij sociale.
BABALE-Korrik 2018
Për disa vite, emri i tij nuk u dëgjua deri në shfaqjen e dosjes "Babale". Mes emrave të njohur, spikaste edhe i Erzen Breçanit. Në përgjimet e policisë dhe Prokurorisë për dosjen, u përdorën telefonatat e Fredi Alizotit me Breçanin. Ndërsa në gjyq, Breçani ka dëshmuar se i ka takuar tek oborri i PD-së, edhe Albert Veliun (Babalja), edhe Alfred Alizotin. Sipas Breçanit, Alizoti i kishte rrëfyer se gjithçka ishte trilluar për të përfitura azil.
“Fredi Alizotin e Albert Veliun i takova rastësisht në oborrin e PD. Alizoti u prezantua si kunati i Alber Veliut. Më tha se kishte besim tek unë dhe do më tregonte diçka. I dhashë 40 mijë lekë të vjetra Alizotit se ishtë pa ngrënë. Edhe Albert Veliut i kam dhënë 10 mijë lekë të vjetra. Gjatë bisedës me Alizotin ai më tregoi se e gjitha bëhej për azil,"-tha Breçani.
Për inskenimin e skandalit “Babale”, Ervin Salianji, ish-deputet i Partisë Demokratike është dënuar me një vit burg nga Gjykata e Tiranës për akuzën e “Kallëzimit të rremë”. Gjithashtu gjykata vendosi të dënojë me 3 vite e 6 muaj burg Albert Veliun, personin kryesor në audio-përgjimin e bërë publik nga Partia Demokratike, por momentalisht Veliu ka marrë azil politik në Belgjikë.
Me 2 vite burg u dënua Fredi Alizoti person i cili sipas Prokurorisë së Tiranës ka bërë zërin e Agron Xhafajt, në audio-përgjimin e PD. Më 6 muaj burg u dënua gazetari Jetmir Olldashi, dënim të cilin gjyqtari Artan Gjermeni vendosi t’ia konvertojë në 100 orë punë në shërbim të publikut. Albert Veliu, i njohur ndryshe me nofkën "Babalja" pretendonte se kishte regjistruar Agron Xhafajn, vëllain e ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, por nga ekspertiza që i është bërë kampionit të zërit, nuk vërtetohet se zëri që dëgjohet në audio është i Agron Xhafajt. Kunati i tij Fredi Alizoti tha se kishte pranuar të imitonte zërin e vëllait të ministrit, pasi iu ishin premtuar 200 mijë euro nga deputeti me mbiemrin Salianji. Kjo dosje nuk e ka ende një vendim të formës së prerë.
PËRPLASJA ME ETILDA GJONAJN- Shkurt 2020
Erzen Breçani ka pasur në shënjestrën e tij edhe ish-ministren e Drejtësisë, Etilda Gjonajn. Për të, në një intervistë televizive pretendonte se kishte nënshkruar një raport kundër tij për torturë tek ambasada amerikane.
“Ministrja e Drejtësisë që është sot, kur kam qenë në detyrën e shefit të komisariatit, ka qenë një grevë urie, unë isha aktiv sepse aty prodhohej një produkt kriminal. Kishte njerëz që digjnin veten. Ministrja e Drejtësisë sot ishte një drejtoreshë e një shoqate kundër dhunës dhe torturës. Unë e hapa ligjin dhe nuk kishte e nuk ka ligj që parashikon kur fillon dhe mbaron një grevë urie. Unë ndërhyra dhe i hoqa shishet e benzinës, këta personat e grevës së urisë, e hoqën ujin me dëshirë dhe kjo zonjushë ka bërë një raport kundër meje për torturë tek ambasada amerikane dhe jam njoftuar se kam një raport, pavarësisht se jam pajisur me viza,”- ka thënë Breçani.
JEHONI-Qershor 2021
Ishte 19-vjeç! Jehon Breçani përplasi një kalimtare 30-vjeçare në Tiranë, e cila humbi këmbët. I riu përplasi vajzën e cila po ecte në trotuar, duke i prerë njërën këmbë e duke i shkaktuar plagë të rënda në trup dhe fytyrë, por përveçse disa ditë në burg, aktualisht ndodhet i lirë. Që prej ngjarjes, Breçani ndaloi për disa muaj daljet e tij publike, për t'u rikthyer sërish në emisionet e darkës, ku fliste për krimin. Me kalimin e muajve dhe viteve, edhe 'fytyra' e tij u rehabilitua.
Kundër "Open Ballkan"-Dhjetor 2021
Ish-zv.drejtori i Policisë së Tiranës iu bashkua protestës së thirrur nga lideri historik i Partisë Demokratike, Sali Berisha kundër nismës “Open Ballkan”. Teksa Berisha ecte, Breçani ndodhej vetëm pak centimetra pas, për t’i “ruajtur” shpatullat.
PD kundër PD- Janar 2022
Teksa Berisha ishte shpallur 'non grata' nga Partia Demokratike, kishte nisur betejë për të "pushtuar" selinë e PD-së. Lulzim Basha ishte kujdesur që të blindonte çdo hyrje për në seli, por "çelësin" Berisha e kishte tek i besuari i tij. Vetëm pak ditë para 8 janarit, Breçani doli në emisionin ‘Opinion’ dhe zbuloi zgjidhjen.
“Nëse drejtuesit e PD që janë shumë, kanë vendosur ato dyer nuk di mbi çfarë informacionesh…. Por nëse njerëzit kanë vendosur për të hyrë brenda, ne i themi me një çelës pneumatik ose hapës hidraulik që e marrin me qera, e vendosin në dy kanatat dhe e hapin pa përdorur forcë fare, në dy anët ku është salduar dera, e vendosin dhe e hapin shumë shpejt dhe i shkon kot,”- tha Breçani
Grushti i Berishës- 6 dhjetor 2022
Për herë të parë në jetën e tij, kryedemokrati Sali Berisha u qëllua me një grusht nga Gert Shehu. Edhe pse i lënduar, të riun ia besoi Erzen Breçanit. Ishte ai personi që e dorëzoi dhunuesin tek kolegët e tij. Por sëmundja e profesionit del me 'shpirtin', e rrugës, e mori edhe vetë në pyetje. Përfundimi; ishte një person i trazuar, me shumë gjasa me probleme të shëndetit mendor.
Lidhjet familjare
Prej kohësh në Tiranë qarkullonte lajmi se Erzen Breçani ishte kthyer në një prej mbrojtësve kryesorë të Ervin Matës. E shoqëronte kudo, në udhëtime brenda dhe jashtë vendit. Por arsyeja, përveç përfitimeve monetare, ishte më e thellë se aq! Djali i tij, Eralbi, kishte lidhur kurorë me të motrën e të ashtuquajturit "bosi i kokainës" në vendin tonë, kështu që më shumë sesa punë...ishte çështje familjare! E pikërisht lidhje e reja të krijuara, kthyen atë që dikur i ndiqte për t'i kapur njerëzit si Ervin Mata, në një subjekt drejtësie!/Zëri.ai