
TIRANË- Në prangat e policisë ka përfunduar dhe djali i Erzen Breçanit, Eralbi Breçani. Dyshohet se ai akuzohet për përkrahje të autorit të krimit në një ngjarje kriminale. Burime nga Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), kanë bërë me dije për ZËRI se prangosja e djalit të Breçanit është bërë në kuadër të operacionit që po zhvillohet në Tiranë këtë mbrëmje. Gjithashtu, siç u raportua nga ZËRI, është lëshuar dhe urdhër arresti për Ervin Matën, i njohur dhe si rivali i Ervis Martinajt, që rezulton i zhdukur prej datës 9 gusht të vitit të kaluar.
SPAK ka lëshuar mbrëmjen e sotme 11 urdhër-arreste për goditjen e një grupi të strukturuar kriminal. Urdhër-arrestet kanë ardhur pas zbërthimeve të bisedave në aplikacionin “SkyEcc”. Në kuadër të operacionit është arrestuar ish-drejtori i Policisë së Tiranës, Erzen Breçani dhe djali i tij Eralbi Breçani. Gjithashtu në pranga është vënë shefi i Krimeve të Komisariatit nr.6, Dedan Gjoni dhe Jonida Babameto, oficere e drejtorisë së kufirit dhe migracionit. Në aksionin e zhvilluar nga SPAK mësohet se mes të arrestuarve janë edhe 7 efektivë policie. Mbi të arrestuarit rëndojnë akuzat pastrim parash, grup i strukturuar kriminal, trafik droge, sigurim kushtesh për të kryer vrasje, shpërdorim detyre dhe përkrahje të autorit të krimit. /Zëri.ai/