
TIRANË- Kryeqyteti është në festë sot, por Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimeve kanë 'tundur' prangat. Burime nga SPAK të ZËRI kanë bërë me dije se "Metamorfoza" ka goditur sërish zyrtarë të lartë të Policisë së Shtetit. Në pranga ka përfunduar ish-zv.drejtori i Policisë së Tiranës, Erzen Breçani dhe shefi i Krimeve të Komisariatit nr.6, Dedan Gjoni.
Të dy, kanë përdorur dhe biseduar në rrjetin "SkyECC dhe Enchrochat", por se me kë kanë komunikuar kjo ende nuk dihet. 11 të arrestuarit akuzohen për pastrim parash, grup i strukturuat kriminal, trafik droge, sigurim kushtesh për të kryer vrasje, shpërdorim detyre dhe përkrahje e autorit të krimit.
Por ende nuk dihet se cilën nga veprat penale kanë kryer ish-zv.drejtori i Policisë por edhe shefi i Krimeve.
Breçani po shoqërohet në Drejtorinë e Policisë së Tiranës bashkë me djalin e tij të madh, pasi të dy akuzohen për përkrahje të autorit të krimit në një ngjarje kriminale. Ndërsa Gjoni është vendosur në pranga teksa po hynte në stadiumin "Air Albania" për të parë ndeshjen mes Shqipërisë dhe Ishujve Faraoe. Të dy, bashkë me disa persona të tjerë, identiteti i të cilëve ende nuk dihet, por ZËRI ka mundur të mësoje se prangosjet i ka bërë vetë SPAK dhe BKH, pa përfshirë në aksion edhe Policinë e Shtetit. Ashtu siç ndodh zakonisht.
Kujtojmë se figurat e para të Policisë të vënë në pranga nga hetimet e SPAK në dosjen “Metamorfoza” pas zbërthimit të rrjeteve “Sky” dhe “EnkroChat”, janë ish-shefi i Operacionales, Oltion Bistri dhe ish-efektivi Ardit Hasanbegaj. Bistri akuzohet për shpërdorim detyre, fshehje e provave që të çonin tek vrasjet. Ndërsa ish-efektivi akuzohet për shpërdorim detyre dhe krijim i kushteve për të kryer vrasje. Hasanbegaj rezulton se i ka krijuar kushtet Behar Bajrit për atentatin ndaj Dorjan Dhulit dhe Ibrahim Licit. Ndërsa Oltion Bistri ka ndihmuar të fshehë provat dhe gjurmët që të çonin tek vrasjet.
SPAK ka lëshuar mbrëmjen e sotme 11 urdhër-arreste për goditjen e një grupi të strukturuar kriminal. Urdhër-arrestet kanë ardhur pas zbërthimeve të bisedave në aplikacionin “SkyEcc”. Në kuadër të operacionit është arrestuar ish-drejtori i Policisë së Tiranës, Erzen Breçani dhe djali i tij Eralbi Breçani. Gjithashtu në pranga është vënë shefi i Krimeve të Komisariatit nr.6, Dedan Gjoni dhe Jonida Babameto, oficere e drejtorisë së kufirit dhe migracionit. Në aksionin e zhvilluar nga SPAK mësohet se mes të arrestuarve janë edhe 7 efektivë policie. Mbi të arrestuarit rëndojnë akuzat pastrim parash, grup i strukturuar kriminal, trafik droge, sigurim kushtesh për të kryer vrasje, shpërdorim detyre dhe përkrahje të autorit të krimit. /Zëri.ai