Aktualitet

Vendimi i Apelit, pse u lirua Malltezi: Nuk i lejohet të komunikojë me askënd përveç familjes

Apeli i GJKKO ka lënë në fuqi masën për Berishën, ndërsa Malltezit i ndalohet që të takojë persona të tjerë përveç familjarëve të tij

E.K
Vendimi i Apelit, pse u lirua Malltezi: Nuk i lejohet të komunikojë me
Familja Berisha dhe Jamarber Malltezi

TIRANË- Zëri.ai zbardh vendimin e Gjykatës së Apelit, dhënë gjatë ditës së sotme, që liroi nga burgu Jamarbër Malltezin, i vënë në pranga në 21 Tetor, pas hetimeve për privatizimin e ish-kompleksit Partizani. Në vendimin që mban firmën e gjyqtares Iliriana Olldashi, thuhet se Malltezi është i detyruar që të mos largohet nga banesa, dhe të mos komunikojë me askënd tjetër përveç familjarëve të tij.

Ndërkohë që Apeli i GJKKO nuk ka ndryshuar masën e sigurisë detyrim paraqitje për Sali Berishën, edhe pse vetë ish-kryeministri nuk e ka respektuar në asnjë prej të hënave vendimin. Malltezi është liruar me pretendimin se nuk paraqet rrezikshmëri si person, si dhe nuk mund të prishë provat që lidhen me hetimet.

VENDIMI I PLOTË I APELIT:

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtarja Iliriana Olldashi, sot më 21.11.2023, ora 11:00, shpalli vendimin mbi çështjen penale nr. 56 akti, datë 14.11.2023 regjistrimi, regjistruar mbi ankimin e personave nën hetim S.B. dhe J.M., me objekt: “Ankim ndaj vendimit nr. 112, datë 20.10.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar” që ka disponuar në lëndë të masave të sigurimit personal, dhe vendosi:

Miratimin e vendimit nr. 112, datë 20.11.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, të verifikuar me vendimin nr. 117, datë 26.11.2023 të së njëjtës gjykatë ndaj ankuesit S.B.

Ndryshimin e vendimit nr. 112, datë 20.11.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, të verifikuar me vendimin nr. 116, datë 23.11.2023 të së njëjtës gjykatë ndaj ankuesit J.M., si më poshtë:

Caktimin e masës së sigurimit personal me efekt shtrëngues “Arrest në shtëpi” ndaj të hetuarit J.M., duke e urdhëruar atë të mos largohet nga banesa e tij e ndodhur në adresën {…} si dhe të mos komunikojë me persona të tjerë me përjashtim të atyre që banojnë në të njëjtën banesë me të.

Urdhërohet lirimi nga ambientet e paraburgimit it ë hetuarit J.M., në rast se nuk mbahet për ndonjë shkak tjetër.

Urdhërohet Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, policia gjyqësore pranë saj, si dhe policia gjyqësore pranë Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë për ekzekutimin e këtij vendimi dhe kontrollimin e zbatimit të urdhrave të dhëna të hetuarit nga kjo gjykatë.

/Zëri.ai 

Poll

MOS HUMB