
TIRANË- Gjykata e Posaçme e Apelit ka ndryshuar masën e sigurisë arrest me burg për Jamarbër Malltezin, duke e lënë nën masën e arrestit të shtëpisë.
Lajmi u konfirmua nga avokati Genc Gjokutaj, ndërkohë që dje u mbajt një seancë për 9 orë ku avokatët e Malltezit kërkuan një masë më të butë sigurie.
Ndërkohë që Apeli ka lënë në fuqi masën detyrim paraqitje për Sali Berishën.
Ka qënë gjyqtarja Ilirjana Olldashi, ajo që ka lehtësuar masën e sigurisë në ngarkim të Jamarbër Malltezit, me arsyetimin se ai nuk është arrestuar në kushtet e flagrancës, dhe nuk është një person që paraqet rrezikshmëri të lartë.
“Gjykata shpalli vendimin, duke e miratuar masën e dhënë më herët për pjesën e zotit Berisha. Duke ndryshuar pjesën për Jamarbër Malltezi, duke caktuar masën e ‘arrestit të shtëpisë’. Kjo është një ‘gërvishtje’ sepse Jamabër Malltezi nuk ka asnjë lloj penaliteti. Që kjo çështje është politike, e bëj me dije dhe në këtë faqe të kallëzimit. Keni kallëzimin dhe regjistrimin brenda një dite. Për çështje të tilla, është e pamundur që brenda një dite të dorëzohet kallëzimi dhe të regjistrohet. Gjykimi dje u karakterizua nga një gjuhë e drunjtë e prokurorisë dhe një heshtje e gjykatës”, tha Gjokutaj.
Malltezi u vu në pranga në datën 21 Tetor, dhe pas afro një muaj tashmë do të vijojë betejën e tij ligjore nga masa e arrestit të shtëpisë.
Ai akuzohet për korrupsion dhe pastrim parash, për privatizimin e ish-kompleksit Partizani, në truallin e të cilit dhëndri i ish-kryeministrit Sali Berisha ka ndërtuar 17 pallate. Sipas Prokurorisë së Posaçme, Malltezi ka përfituar nga Berisha, asokohe kryeministër që të merrte pronën e ish-familjarëve të tij, dhe për ta kthyer atë në një kompleks banimi. Sipas prokurorisë së Posaçme, Malltezi kishte fituar më shumë se 5 milionë euro nga investimi në këtë truall.
/Zëri.ai