
TIRANË- Zbardhjet plagosja e Selami Brahimit, ngjarje e ndodhur 2 ditë më parë në hyrje të Shkodrës. Policia e Shtetit ka bërë me dije se autori i plagosjes është Sulejman Kapllani, i cili është arrestuar në Berlin, Gjermani. Pritet ekstradimi i tij drejt Shqipërisë, ku do të përballet me drejtësinë. Për plagosjen, ndaj tij, Prokuroria ka lëshuar një urdhër ndalimi për veprat penale: “Vrasja me paramendim”, mbetur në tentativë dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.
"Në kuadër të një operacioni të përbashkët, të koduar “Koordinimi”, të kryer në bashkëpunim me Interpolin dhe me homologët gjermanë, është kapur në qytetin e Berlinit, Gjermani, i shpalluri në kërkim ndërkombëtar shtetasi S. K., 68 vjeç, banues në lagjen “Guerile”, Shkodër. Shtetasi S. K. dyshohet si autori kryesor i ngjarjes së datës 08.02.2024, në Shkodër, ku ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të automjetit të markës “Citroen”, për të vrarë shtetasin S. B., banues në lagjen “Guerile”, Shkodër. Ndaj shtetasit S. K., Prokuroria kishte lëshuar një urdhër ndalimi për veprat penale “Vrasja me paramendim”, mbetur në tentativë dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”. Sqarojmë se strukturat kundër krimeve të rënda të DVP Shkodër kanë sekuestruar në cilësinë e provës materiale, armën me të cilën është ekzekutuar vepra penale, një AK-47, së bashku me krehra me fishekë, si dhe automjeti i përdorur për transportimin e autorit,"- thuhet në njoftimin e Policisë.
-
-
“I lindur me këmishë’, Brahimi iu shpëton 10 plumbave
9 Shkurt, 12:20 -
Lidhur me plagosjen e tij, Selami Brahimi ka thënë para Policisë se nuk ka mundur të njohë se kush qëlloi në drejtim të tij, pasi dëmtimet i ka marrë në fytyrë. Si pasojë, i është nënshtruar një ndërhyrje kirurgjikale dhe aktualisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Ndaj edhe pritet që dëshmia e autorit të zbulojë shkakun e vërtetë të plagosjes. 60-vjeçari ka deklaruar se nuk është kërcënuar më parë nga dikush apo të ketë konflikte me njeri, por miqësia e tij me Sokol Licin, një nga djemtë e familjes Lici, mund të jetë shkak për atentatin e organizuar ndaj tij. Hetimet ende do të vazhdojnë për të zbuluar edhe porositësin e atentatit./ZËRI