
SHKODËR- Selami Brahimi, i cili i shpëtoi një atentati mbrëmjen e djeshme rezulton të jetë mik me Sokol Licin, njëri prej djemve të familjes Lici në Shkodër. Dyshohet se është pikërisht kjo miqësi me familjen Lici dhe arsyeja e sulmit të mbrëmshëm ndaj tij. Ndaj Selami Brahimit u qëllua me breshëri automatiku, por fatmirësisht plumbat nuk i preken organet jetësore. Siç shkruan Elton Qyno për “Ora News”, grupet rivale në Shkodër, e kanë treguar qartazi edhe përmes komunikimeve “SkyECC” se në pjesën më të madhe, thurin plane për të vrarë “ushtarët”, duke e pasur më të lehtë për t’u hakmarrë ndaj kundërshtarëve të tyre.
Në dëshminë e dhënë në polici, Selami Brahimi ka deklaruar se nuk ka pasur konflikte me njeri dhe se nuk ka parë asnjë nga autorët. Ai shprehet se një plumb e ka prekur në fytyrë, ndërsa shtoi se një lëvizje e kokës mund të kishte rezultuar fatale për të.
Selami Ibrahimi: Unë sapo lashë mbesën time tek një punonjës që është afër picerisë. Sapo jam ulur poshtë më kanë qëlluar. Kam shpëtuar për mrekulli sepse në atë moment jam kthyer dhe plumbi më kapi fytyrën sepse ndryshe mund të më kishin qëlluar në kokë. Nuk kam arritur që të shoh asgjë. Nuk kam asnjë problem me askënd dhe nuk e di kush mund të jenë autorët. Po ashtu nuk kam arritur që të shoh asnjë makinë apo mjet tjetër të autorëve. Nuk kam pasur asnjë kërcënim apo problem ndaj nuk e kam idenë se kush më ka qëlluar dhe për çfarë arsye.
Mësohet se Brahimi është qëlluar të paktën 10 herë me automatik. 60-vjeçari i është nënshtruar një ndërhyrje kirurgjikale, por fatmirësisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Automjeti me të cilin qëlluan autorët ende të paidentifikuar erdhi nga zona e Parrucës në drejtim të Xhabiej dhe pasi qëlluan me armë zjarri u larguan në drejtim të daljes së Shkodrës ndërsa policia po gjurmon lëvizjet e automjetit që nuk është gjetur ende.
Disa persona janë shoqëruar nga policia, si persona që mund të kenë dijeni. Kontrollet janë zhvilluar në një banesë në fshatin Kuç të njësisë Gur i Zi por nuk ka qenë askush brenda por edhe në disa zona të tjera ku policia mund të ketë informacione. Selami Brahimi është pronar i një picerie në lagjen “Xhabiej” ku ndodhi plagosja. Policia vijon hetimet për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarje./ZËRI