Aktualitet

Lihet në burg Maliq Marku, ditën e vrasjes preu biletë për në Angli (Detaje)

Autori i vrasjes së Shefqet Hasës në Laknas, Maliq Marku u la në burg nga Gjykata e Tiranës. Marku vrau fqinjin, pas konfliktit për kanalin e ujërave të zeza.

D.XH
Lihet në burg Maliq Marku, ditën e vrasjes preu biletë për
Maliq Marku

TIRANË – 70-vjeçari Maliq Marku, që vrau fqinjin e tij Shefqet Hasa dhe plagosi Ismet Keqën, për kanalin e ujërave të zeza, u la në burg ditën e sotme nga Gjykata e Tiranës. Vetë Marku ka shprehur pendesë për krimin që ka kryer, ndërsa deklaronte se ka pasur konflikt me banorrët e lagjes për një kanal të ujërave të zeza. Ai tha se gjithçka ka ndodhur nga gjaknxehtësia e sipër.

Pasi banorët kanë bërë ankesë te Ujësjellës Kanalizimet e Kamzës, dy punonjës kanë shkuar të bëjnë zhbllokimin e pusetës. Ata i kanë thënë Markut se nuk mund të realizohej kërkesa e tij, për të vendosur edhe ai lidhje me banesën te kanali i ujërave të zeza. Pasi punonjësit e Ujësjellës Kanalizimeve janë larguar, Maliq Marku është konfliktuar me fqinjët, Shefqet Hasa dhe Ismet Keqa.

Sipas raportimit të Report Tv, një i njohur i Markut është munduar që të qetësojë palët, por ata kanë nisur debatet, edhe duke ofenduar njëri-tjetrin. Në këtë moment, Marku ka nxjerrë armën dhe ka qëlluar 5 herë në drejtim të Shefqet Hasës, i cili mbeti i vrarë, ndërsa plagosi fqinjin tjetër Ismet Keqa.

“Gjatë këtij debati, në një moment personi nën hetim Maliq Marku ka nxjerrë një armë luftarake të tipit pistoletë dhe ka qëlluar 5 herë në drejtim të të ndjerit Shefqet Hasa. Pas këtyre të shtenave, Shefqeti është rrëzuar në tokë, ndërsa Maliqi, duke mbajtur pistoletën me të dyja duart, është kthyer nga shtetasi Ismet Keqa, duke ja drejtuar pistoletën atij. Në këto momente, shtetasi Ilir Kuka me dorën e tij të majtë ka prekur dorën e djathtë të Maliqit, gjë që ka bërë të mundur devijimin e pistoletës të personit nën hetim, Maliq Marku, i cili  qëlloi dhe 3 apo 4 herë të tjera në drejtim të shtetasit Ismet Keqa. Ky i fundit, si pasojë e ndërhyrjes së shtetasit Ilir Kula, vetëm u plagos nga plumbat. Personi nën hetim ka qëlluar derisa arma i ka mbetur e hapur, pra deri në mbarimin e gjithë fishekëve që kishte në krëhërin e armës së tij.

Pas këtyre të shtënave, personi nën hetim përsëri ia ka drejtuar pistoletën Ismetit, por shtetasi Ilir Kuka në këto momente, i ka kapur të dyja duart bashkë me pistoletën Maliqit, duke ja ulur poshtë, me drejtim për nga toka, ku në këtë moment Maliqi ka qëlluar dhe nje herë të vetme në drejtim të tokës”, thuhet në dosje.

Prokurori i çështjes ka kërkuar masën e sigurisë “arrest me burg” për autorin Maliq Marku. Ndërsa, në kërkesën e Prokurorisë, thuhet edhe se 70-vjeçari paraqet rrezikshmëri për t’u larguar, sepse kishte prerë biletë për në Angli, ditën kur ka ndodhur vrasja. Pas vrasjes dhe plagosjes, Marku ka shkuar në banesë. Në banesë, përpos armës dhe fishekëve, iu gjet edhe një shkop, si ai që mban policia. 70-vjeçari Maliq Marku, vrau me armë zjarri fqinjin e tij Shefqet Hasa dhe plagosi shtetasin Ismet Keqa, pas një konflikti për kanalin e ujërave të zeza. /Zëri.ai/

Poll

MOS HUMB