
PRISHTINË – Vëllai i së ndjerës, Liridona Ademaj, Leonardi, në një prononcim për mediat, ka rrëfeyer gjithçka që ka ndodhur natën e vrasjes të motrës së saj. Leonard Ademaj shprehet se fëmijët akoma nuk e dinë se iu ka vdekur nëna. Ai shton se Liridona është vrarë në mënyrën më makabre të mundshme.
Leonardi ka treguar edhe se çfarë i kanë thënë fëmijët, kur ai ka shkuar në spital. Ai shton se beson tek drejtësia e Kosovës dhe se për rastin do të vendoset drejtësi, ndërsa dhe detaje për ngjarjen.
“Liridona është vrarë në mënyrë mizore, në mënyrën më makabre që mund të ndodhë. Ajo ishte grua e fuqishme, ishte motër e fuqishme dhe nënë e fuqishme dhe doli se është bërë edhe heroinë për fëmijët e saj. Ne po e përmbajmë veten, sepse ajo nuk donte të na shihte neve kurrë në këtë gjendje. Atë ditë kur ka ndodhur ngjarja ka qenë tek shtëpia jonë, ka fjetur tek ne, por më tha që do iki. Shkoi më vonë Liridona. Pasi ka shkuar në Prishtinë, prindërit e kanë marrë në telefon dhe iu ka thënë se do shkojë me bashkëshortin në darkë për të ngrënë.
Unë kam qenë në punë dhe rreth orës 22:20 minuta më ka marrë në telefon gruaja e më ka thënë se e kanë vrarë Liridonën. Ne kemi një kushëri që e ka emrin Liridon dhe mendova për të fillimisht. Pastaj e mora vesh. Kur isha në shtëpi gjendja ishte katastrofë. Prindërit ishin shumë keq. I mora prindërit dhe i hipa në makinë. Kam ardhur në QKUK, shkova pastaj në Dragodan, aty ishte Naimi brenda duke u intervistuar dhe fëmijët. Policia na priti shumë mirë. Prindërit më vonë e morën vesh për vdekjen. Fëmijët u sulën drejt meje dhe më përqafuan, më thanë se kanë dashur të na grabisin. Fëmijët thanë se i kishin grabitur dhe kishin edhe para në duar. Më thanë se kemi harruar mamin në makinë. Ata thanë se na mori babi.
Naimi më tha se grabitësit iu kishin dalë përpara. Ai më tha se nuk i kishte parë grabitësit, por Liridona i kishte parë ato (grabitësit). Më tha se grabitësit kanë kërkuar gjithçka dhe i kam thënë Liridonës ‘jepu gjithçka’. Më ka deklaruar pastaj se ika bashkë me fëmijët dhe Liridona mbeti në mjet. Më tha se shpëtova fëmijët, jam ngjitur në një kodër. Mua më vinte keq sepse mendova se e ka grua dhe i vjen keq, sepse unë nuk e dija që ai e kishte bërë të gjithë këtë tragjedi. Nuk kemi informacione për familjen e tyre. Për fëmijët kemi pasur kontakt. Për fëmijët kujdesen gjyshja dhe gjyshi. Fëmijët nuk e dinë akoma se nëna ka vdekur. Fëmija nëse vjen tek ne, mund ta kuptojë më lehtë se çfarë ka ndodhur. Le të jetë Liridona gruaja e fundit që ka vdekur, e mos ketë tjetër grua viktimë", tha Leonard Ademaj.
Krimi i rëndë ndodhi mbrëmjen e 29 nëntorit, rreth orës 20:26, në rrugën “Dalip Alshiq”, në Prishtinë. Rasti fillimisht u raportua si grabitje, por pas 48 orëve u zbulua se urdhri për ekzekutimin e të resë ishte dhënë nga vetë bashkëshorti i Liridonës, Naim Murseli. Ai e ka paguar Granit Plavën 30 mijë euro për vrasjen e gruas së tij. 15 mijë ia kishte dhënë para vrasjes, dhe 15 të tjera do ia jepte në përfundim të krimit. Plava e ka pranuar fajësinë për vrasjen e 30-vjeçares, duke thënë se Naim Murseli e kishte porositur. Në pranga ka rënë dhe Kushtrim Kokalla, i afërm i Murselit që akuzohet si bashkëpunëtor në krim./Zëri.ai/