
TIRANË- Detaje të reja janë zbardhur në lidhje me vrasjen dhe plagosjen e ndodhur brenda ambienteve të burgut të Peqinit. Sokol Mjaçaj vrau me armë zjarri në qelinë e tij Arben Lleshi, ndërsa një plumb në këmbë mori edhe i dënuari tjetër, Indrit Shaqja. Deri më tani është mësuar se Sokol Mjaçaj ka qenë në ajrim dhe më pas është futur brenda qelisë së Lleshit.
Pasi ka kryer vrasjen, i riu i dënuar me burg përjetë ka mbajtur peng edhe disa persona brenda burgut, të cilët sipas një të dënuari ishin familjarët që kishin ardhur të takonin personat që vuajnë dënimin. Sipas të dhënave paraprake, pengmarrja ka zgjatur disa orë. Kryeprokurori i Elbasanit, Kreshnik Ajazi ishte personi i cili negocioi dhe e bindi Sokol Mjaçajn të dorëzohej dhe aktualisht është shoqëruar në Drejtorinë Vendore të Policisë të Elbasanit, ku edhe po merret në pyetje.
Ndërkohë që në këtë momente, në burgun e sigurisë së lartë në Peqin, situata është e qetë. Por për arsye sigurie, i gjithë perimetri i burgut është i rrethuar nga efektivë të Policisë së Shtetit./ZËRI