Aktualitet

Vrasja në Velipojë, xhaxhai i vëllezërve Frroku: Prokurorët po e bëjnë rrush e kumbulla këtë vend, nuk i dorëzohet njeri këtij shteti

Arsid Hoxha dhe Ersild Ishmi u qëlluan me armë zjarri dhe humbën jetën në spital nga plagët e marra

E.K
Vrasja në Velipojë, xhaxhai i vëllezërve Frroku:
Zef Frroku

SHKODËR- Zef Frroku, xhaxhai i dy vëllezërve Eduard dhe Gëzim Frroku, pronarë të një hoteli në Velipojë që vranë Arsid Hoxha dhe Ersild Ishmi ka treguar zanafillën e konfliktit.

Duke folur për mediat, ai ka deklaruar se viktimat dhe nipërat e tij janë konfliktuar dy javë më para para hotelit. Xhaxhai i autorëve hedh akuza në drejtim të prokurorisë, që sipas tij e liroi nga burgu Ishmin, edhe pse ai kishte kanosur me armë më herët punonjësit e hotelit. Në deklaratën e tij për mediat, Frroku shprehet se nipërit e tij kanë punuar me ndershmëri që prej vitit 1994 me hotelin në Velipojë, dhe të gjithë punën e tyre kanë arritur që ta ngrejnë me mund.

Zef Frroku la të kuptohet se nipërit e tij nuk do të dorëzohen, pasi sipas tij nuk kanë besim te drejtësia.

“Unë kam qenë në Bushat dhe nuk e di mirë këtë histori. Vetëm di se para dy javësh kanë ardhur dhe janë konfliktuar para hotelit të vëllait tim. Ai zotni ka nxjerrë armën, shteti e mori e çoi në burg dhe e liroi për dy ditë. Mbrëmë kanë ardhur, se nga kanë ardhur ne nuk e dimë. Rrezik për ne dhe rrezik për ata. Ai prokuror dhe gjykatës që i ka liruar nuk i ka bërë mirë as shtetit, as familjes dhe as ne.

Nuk e di se ku ndodhen dhe nuk kemi komunikim me ta. Policisë së Shtetit është vështirë me ju dorëzu kush. Këtyre prokurorëve është vështirë ti dorëzohet kush. Këta po bëjnë  rrush e kumbulla këtë vend. Janë duke marrë në qafë njerëzit e ndershëm dhe favorizojnë kriminelet.

Duam vetëm drejtësi, nuk kërkojmë asgjë prej shtetit, vetëm drejtësi. Policia ka bërë punën e vet, i ka arrestuar, prokurorët i kanë liruar”, tha xhaxhai i autorëve.

Ishte ora 21:00 e mbrëmjes së djeshme kur një konflikt banal i nisur rreth 2 muaj më parë degjeneroi në përdorimin e armëve të zjarrit. Viktimë nga breshëria e plumbave mbetën Arsid Hoxha, 22 vjeç edhe Ersild Ishmi, 33 vjeç. Ndërsa autorë të dyshuar të kësaj vrasjeje të dyfishtë janë dy vëllezërit Eduard dhe Gëzim Frroku, pronarë të një hoteli. Ata ndodhen aktualisht në arrati.

Drejtori i policisë së Shkodrës Edmond Sulaj tha në një deklaratë për mediat se shkak për ngjarjen dyshohet se u bë një debat i ndodhur në fund të muajit Qershor në hotelin e vëllezërve Frroku, mes kamarierit dhe kuzhinierit. /ZËRI 

Poll

MOS HUMB