
TIRANË- Autorët e dyshuar për vrasjen e biznesmenit nga Lezha, Ardian Nikulaj, do të ekstradohen drejt Shqipërisë. Katër shtetasve britanikë dhe Edmon Haxhisë u është refuzuar kërkesa për të apeluar vendimin e lejimit të ekstradimit në vendin tonë.
Gjykata e apelit në Londër i tha Top gazetarit të Top Channel, Muhamed Veliu se gjykatësi Sir Peter Lane nuk e pranoi kërkesën për të apeluar prej Edmond Haxhisë, Thomas Mithan, Harry Simpson, Harriet Bridgeman dhe Steven Hunt. Ky vendim është marrë më 25 Shkurt.
Edmond Haxhia dhe katër britanikët, tentuan pa sukses të rrëzojnë vendimin e 27 Gushtit, të vitit të shkuar nga gjykata e ekstradimeve “City of Westminster Magistrate Court” nga ku u pranua kërkesa e drejtësisë shqiptare për ti ekstraduar. Kjo do të thotë se mund të jetë çështje javësh kur oficerëve të Interpol Tiranës do ti duhet të udhëtojnë drejt Londrës për ti sjellë me pranga në duar e vënë përpara gjykatës së Lezhës.
Prokuroria e Lezhës akuzon Edmond Haxhinë se ishte truri organizativ i vrasjes së Ardian Nikulajt prej portugezit ardhur nga Anglia, Ruben Saraiva më 19 Prill 2023 në Shëngjin. Ndërsa katër britanikët vëzhguan viktimën duke i përcjellë informacione ekzekutorit Saraiva. Ky i fundit u esktradua nga Maroku në Shqipëri në 31 dhjetor 2023, pasi u vendosur në pranga në muajin maj në vendlindjen e tij, disa javë pas vrasjes së kreu në Lezhë.
Ekstradimi i grupit të vëzhguesve do të shënojë rastin e dytë kur një shtetas britanik ekstradohet për në Shqipëri. Në Maj të 2007-ës, britanikët Dino Christodoulou dhe Robin Arnold u ekstraduan nga Britania e Madhe e më pas u dënuan nga Gjykata e Tiranës për abuzime me fëmijët në një strehë për jetimët.
Ardian Nikulaj u ekzekutua me armë zjarri më 19 prill të 2023, teksa ndodhej brenda ambienteve të lokalit të tij në Shëngjin. Në vrasjen e tij akuzohen si të përfshirë 5 persona, porositësi Edmond Haxhia dhe 3 britanikë: Thomas Mithan, Steven Hunt, Harry Simpson dhe Harriet Bridgeman. Ndërsa personi që qëlloi u identifikua nga policia si Ruben Saraiva. Ky i fundit, arriti të largohej jashtë vendit pas ngjarjes, për t’u arrestuar në Marok./ZËRI