
TIRANË- Sindikata e Burgjeve ka reaguar pak minuta më parë në lidhje me ngjarjen e rëndë të regjistruar në ambientet e burgut të sigurisë së lartë në Peqin ku Sokol Mjaçaj ekzekutoi me armë zjarri brenda qelisë së tij Arben Lleshin dhe plagosi Indrit Shaqjen. Përmes një reagimi Sindikata shprehet se ai që ka përgjegjësinë direkte për implikimin apo paaftësinë e ruajtjes së perimetrit të sigurisë në këtë institucion, do dalë pas hetimit profesionale të organeve ligjzbatuese.
REAGIMI:
Situata mediatike e krijuar mbi ngjarjen e ndodhur sot në Ievp Peqin, na detyron të reagojmë në qartësimin e disa çeshtjeve që kanë të bëjnë me dinamikën e ngarkesës së punës në sistemin penitenciar shqiptar. Reagimi në media dhe folklorizmat politike të sotme, nuk ja kanë idenë e sakrificës së mijëra punonjësve civilë e me uniformë, që çdo ditë përballen me mbinkarkesë pune e shërbimi nëpër burgje. As për presionin e stresin që u shkaktohet çdo moment nga bota e krimit, për shkak të detyrës e zbatimit të ligjit.
Kishte gati 25 vite që sistemi notonte në situata të turbullta, herë pozitive e shumë herë të tjera në keqmenaxhim e demotivim të burimeve njerëzore. Në fund të vitit 2021 ndodhi ndryshimi që pritej prej kohësh, filloi një epokë e re transformimi pozitiv në drejtim të përmirësimit rrënjësor të pagave e trajtimit dinjitoz të punonjësve. Brenda një harku kohor 2 vjeçar u rritën pagat, u dha shpërblim fundviti pas shumë vitesh harrese, u ndryshua ligji për ti dhënë dinjitet Policisë së Burgjeve, tani po kurorëzohet dhënja e uniformës së re e të plotë, po përfundon me sukses proçesi i transportit të stafit nga banesa për në vendin e punës, po finalizohet struktura e re bashkë me gradat si dhe vitin tjetër nis trajtimi ushqimor, pa harruar rritjen e deklaruar me 10% të pagës për gjithë policinë! Kjo nuk erdhi nga qielli e as nuk ndodhi si kontribut i disa"analistëve folklorikë", që kohë më parë "kontribuan" në dobësimin e sistemit.
Ngjarja që ka ndodhur ka përgjegjës direkt, të cilët duhet të përgjigjen personalisht para ligjit. Janë organi i akuzës dhe shërbimet e specializuara inteligjente, të cilët do dalin me konkluzione konkrete pas hetimeve mbi shkaqet e shkaktarët e ngjarjes së ndodhur. Asnjë ngjarje apo situatë e krijuar, nuk mund të hedhë baltë mbi mijëra punonjës të ndershëm dhe as mbi drejtuesit e burgjeve, të cilët sollën frymë europiane në sistem.
Është koha që politika e publiku të jenë në krah të Policisë së Burgjeve, në mbështetje të hetimit ligjor dhe jo të përdorimit mediatik sipas rastit e interesit. Ai që ka përgjegjësinë direkte për implikimin apo paaftësinë e ruajtjes së perimetrit të sigurisë në këtë institucion, do dalë pas hetimit profesionale të organeve ligjzbatuese. Sindikata shpreh mbështetje e bashkëpunim që kjo klimë pozitive e ndryshimit rrënjësor shumplanësh, të vazhdojë në vijim e në favor të të drejtave social-ekonomike të punonjësve, si motivim kryesor në zbatimin e detyrës sipas Ligjit!
Çfarë ndodhi sot?
Ngjarja e rëndë cënoi rëndë sigurinë në burgjet e vendit duke përbërë një skandal të paprecedentë. Arma që i nevojitej Mjaçajt për të ekzekutuar Arben Lleshin u soll në burg me dron. Pasi ka marrë armën në zonën e ajrimit ai i ka thërritur Arben Lleshit tre herë, në momentin që ky i fundit ka dalë në dritare e ka ekzekutuar me tre plumba, një prej të cilëve në qafë duke rezultuar dhe më fatali. Pas ngjarjes ai ka tentuar të marr peng disa familjarë të të burgosurve të tjerë në dhomën e takimeve, por më pas është mbyllur në qelinë e tij. Ishin negociatat me drejtorin e Burgut të Peqinit ato që e bindën të vetëdorëzohet pasi u garantua se nuk do të vritej.
Sokol Mjaçaj po merret në pyetje në Drejtorinë e Policisë së Elbasanit, por ende nuk ka rrëfyer se kush e urdhëroi dhe kush e ndihmoi nga brenda burgut. Deri më tani dyshohet se shkak për vrasjen e Arben Lleshit është bërë gjakmarrja dhe se urdhri mund të ketë ardhur nga familja Hoxha, por kjo mbetet ende e pakonfirmuar pasi hetimet vijojnë. Mjaçaj do të izolohej në regjimin e posaçëm “41 Bis”, por me sa duket kishte dhe një mision për të kryer. Vrasësi Sokol Mjaçaj, vuante dënimin me burgim të përjetshëm për vrasjen e dy turistëve çek në vitin 2015. Në tentativë për të iu grabtitur makinën Sokol Mjacaj i ekzekutoi të dy. Ngjarje e ndodhur në fshatin Lotaj të Dukagjinit./ZËRI