
TIRANË- Arben Lleshi, i cili u ekzekutua këtë të premte me armë zjarri brenda qelisë së tij nga Sokol Mjaçaj në Burgun e Sigurisë së Lartë në Peqin është tentuar të vritet dhe më parë. Raportohet se në vitin 2018 ai u plagos me thikë, por ngjarja u mbyll si një sherr mes të burgosurish dhe jo si një tentativë vrasjeje.
Llleshi ndodhej në burg pasi akuzohej nga drejtësia britanike për vrasjen e Agim Hoxhës në Britaninë e Madhe. Pas vrasjes, Lleshi e ka marrë trupin e të ndjerit, e ka futur brenda makinës së tij dhe i ka vënë flakën, duke e shkrumbuar. Shkak për ngjarjen dyshohet të jetë bërë prishja e pazareve të drogës. Lleshi u ekstradua në Shqipëri kishte për të vuajtur 28 vite burg nga 31 që kishte në total. (Vrasja e Hoxhës solli një sage hakmarrjeje mes dy familjave).
Arma që i nevojitej Mjaçajt për ta ekzekutuar u soll në burg me dron. Mister mbetet se si askush nuk pikasi asgjë duke cënuar rëndë sigurinë. Pasi ka marrë armën në zonën e ajrimit ai i ka thërritur Arben Lleshit tre herë, në momentin që ky i fundit ka dalë në dritare e ka ekzekutuar me tre plumba, një prej të cilëve në qafë duke rezultuar dhe më fatali.
Pas ngjarjes ai ka tentuar të marr peng disa familjarë të të burgosurve të tjerë në dhomën e takimeve, por më pas është mbyllur në qelinë e tij. Ishin negociatat me drejtorin e Burgut të Peqinit ato që e bindën të vetëdorëzohet pasi u garantua se nuk do të vritej.
Sokol Mjaçaj po merret në pyetje në Drejtorinë e Policisë së Elbasanit, por ende nuk ka rrëfyer se kush e urdhëroi dhe kush e ndihmoi nga brenda burgut. Deri më tani dyshohet se shkak për vrasjen e Arben Lleshit është bërë gjakmarrja dhe se urdhri mund të ketë ardhur nga familja Hoxha, por kjo mbetet ende e pakonfirmuar pasi hetimet vijojnë.
Mjaçaj do të izolohej në regjimin e posaçëm “41 Bis”, por me sa duket kishte dhe një mision për të kryer. Vrasësi Sokol Mjaçaj, vuante dënimin me burgim të përjetshëm për vrasjen e dy turistëve çek në vitin 2015. Në tentativë për të iu grabtitur makinën Sokol Mjacaj i ekzekutoi të dy. Ngjarje e ndodhur në fshatin Lotaj të Dukagjinit./ZËRI