
KORÇË- Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë kanë mësyrë mbrëmjen e kësaj të premteje në ambientet e burgut të sigurisë së lartë në Drenovë. Raportohet se kontrollet kanë të bëjnë me sigurinë në burgje pas ngjarjes së rëndë të regjistruar në Peqin, ku Arben Lleshi u ekzekutua me armë zjarri brenda qelisë nga Sokol Mjaçja. Efektivët e FNSH-së po kërkojnë për sende të jashtëligjshme dhe armë zjarri.
Përveç kontrolleve të imtësishme në burgun e Drenovës, mësohet se kontrolle janë duke u zhvilluar edhe në burgjet e sigurisë së lartë në të gjithë vendin.
Çfarë ndodhi sot?
Ngjarja e rëndë cënoi rëndë sigurinë në burgjet e vendit duke përbërë një skandal të paprecedentë. Arma që i nevojitej Mjaçajt për të ekzekutuar Arben Lleshin u soll në burg me dron. Pasi ka marrë armën në zonën e ajrimit ai i ka thërritur Arben Lleshit tre herë, në momentin që ky i fundit ka dalë në dritare e ka ekzekutuar me tre plumba, një prej të cilëve në qafë duke rezultuar dhe më fatali.
Pas ngjarjes ai ka tentuar të marr peng disa familjarë të të burgosurve të tjerë në dhomën e takimeve, por më pas është mbyllur në qelinë e tij. Ishin negociatat me drejtorin e Burgut të Peqinit ato që e bindën të vetëdorëzohet pasi u garantua se nuk do të vritej.
Sokol Mjaçaj po merret në pyetje në Drejtorinë e Policisë së Elbasanit, por ende nuk ka rrëfyer se kush e urdhëroi dhe kush e ndihmoi nga brenda burgut. Deri më tani dyshohet se shkak për vrasjen e Arben Lleshit është bërë gjakmarrja dhe se urdhri mund të ketë ardhur nga familja Hoxha, por kjo mbetet ende e pakonfirmuar pasi hetimet vijojnë.
Mjaçaj do të izolohej në regjimin e posaçëm “41 Bis”, por me sa duket kishte dhe një mision për të kryer. Vrasësi Sokol Mjaçaj, vuante dënimin me burgim të përjetshëm për vrasjen e dy turistëve çek në vitin 2015. Në tentativë për të iu grabtitur makinën Sokol Mjacaj i ekzekutoi të dy. Ngjarje e ndodhur në fshatin Lotaj të Dukagjinit./ZËRI