
FIER- Elmir Tufa, 31-vjeçari i akuzuar për vrasjen e Shkëlzen Kastratit, është lënë në burg nga Gjykata e Fierit. Zëri.ai ju sjell video nga momenti kur Tufa zbret nga furgoni i policisë dhe bëhet gati për tu futur në sallë. Ai shihet që mban një kapuç në kokë, ndërkohë që është i rrethuar nga forca të shumta policie.
Tufa u vu në pranga nga Forcat Operacionale tre ditë më parë, teksa lëvizte në zonën e Fushë-Krujës.
Ai akuzohet për veprën penale “Vrasje me paramendim”. Për vrasjen e Kastratit, është dënuar me 21 vite burg Albert Zaja, i cili ka përfituar uljen e 1/3 së dënimit për shkak të gjykimit të shkurtuar, por nuk ka pranuar të bashkëpunojë me drejtësinë dhe ka mohuar gjithë kohës se ka lidhje me këtë vrasje. Në kërkim janë ende Elson Xheçuka dhe Silvia alias Roland Cara. Nga hetimet e deritanishme, Prokuroria ka dalë në përfundimin se është Xheçuka personi që ka qëlluar me armë Shkëlzen Kastratin.
Si ndodhi krimi?
Shkëlzen Kastrati u ekzekutua paraditen e 1 shkurtit 2021 pranë Rrethit në fshatin Sheq në Fier, pasi u qëllua nga një makinë tip Range Rover, që pas vrasjes u gjet e djegur te Mbikalimi i Baltzës. Dyshohet se ngjarja lidhet me një përplasje të vjetër mes familjeve Binjaku dhe Kastrati, për shkak të përfshirjes së vëllait të tij, Klementit në një sagë hakmarrjeje me Ermal Binjakun.