
KORÇË- Një prej 20 grave më të kërkuara nga policia shqiptare, është vënë në pranga nga policia në pikën e kalimit kufitar të Kapshticës. Bëhet fjalë për shtetasen Fëllëzë Saliaj, e cila është dënuar me 7 vjet burgim, për shfrytëzim për prostitucion, në rrethana rënduese.
Saliaj ka qenë tutore e një vajze tjetër, rreth 18 vite më parë, në vitin 2005. Ndaj saj është lënë në fuqi nga apeli i Gjykatës së Vlorës dënimi me 7 vite burg. Dyshohet se përgjatë këtyre viteve të arratisë Saliaj ka qëndruar në shtetin grek.
"Shërbimet e Stacionit të Policisë Kufitare Kapshticë, në hyrje të Republikës së Shqipërisë, ndaluan shtetasen e shpallur në kërkim Fëllëzë Saliaj, 55 vjeçe, banuese në Patos.
Gjykata e Apelit e Vlorës ka lënë në fuqi vendimin e Gjykatës së Fierit për dënimin e kësaj shtetaseje, me 7 vjet burgim, për veprën penale "Shfrytëzimi për prostitucion", në rrethana rënduese. Në vitin 2005, shtetasja Fëllëzë Saliaj ka shfrytëzuar për prostitucion, një shtetase tjetër.
Veprimet e mëtejshme procedurale u kryen nga Drejtoria Vendore e Policisë Fier", njofton zyrtarisht policia.