TIRANË- Qytetarë, prindër dhe adoleshentë u provokuan gjatë protestës që po zhvillonin për vrasjen e 14-vjeçarit Martin Cani nga bashkëmoshatari i tij. Siç duket qartë edhe nga pamjet e siguruara nga ZËRI, një grua nga brenda godinës së Ministrisë së Arsimit u bën shenja protestuesëve. Gjestet lënë të kuptojnë se u kërkojnë që të mbyllin protestën, por fytyra nuk i është shquar në asnjë moment.
Ngjarja e rëndë, vrasja e 14-vjeçarit që tronditi vendin ndodhi të hënën. Të rinjtë, Martin Cani dhe Mario Prelleshi ishin konfliktuar gjatë pushimit të gjatë, por ishin ndarë nga roja i shkollës dhe mësuesit. Disa orë më pas, rreth orës 13.00, kur edhe kishin përfunduar mësimin, u ritakuan në oborr ku edhe u përleshën me thika. Autori vrau 14-vjeçarin dhe plagosi shokun e ngushtë të viktimës, Luis Meçen. Gjatë marrjes në pyetje për shkakun e sherrit, autori është shprehur se përplasja kishte nisur për një "pse më shikon?", por në asnjë moment nuk ka shprehur pendesë./ZËRI