
ANGLI - Një hetim do të hapet për vdekjen e një azilkërkuesi që vrau veten në anijen Bibby Stokholm. Policia e Dorset konfirmoi se një person kishte vdekur në bordin e anijes së akomodimit, me bazë në Portland Port, më 12 dhjetor.
27-vjeçari nga Shqipëria u identifikua më pas si Leonard Farruku. Sekretari i Brendshëm James Cleverly tha se vdekja e papritur e të riut do të hetohej plotësisht dhe Rachael Griffin, mjeke ligjore e lartë e Dorset, ka konfirmuar se një hetim për vdekjen e tij do të hapet të enjten, më 21 dhjetor.
Seanca paraprake zakonisht mbahet për të përcaktuar zyrtarisht identitetin e të ndjerit, vendin ku ndodhi vdekja dhe potencialisht shkakun e vdekjes, përpara se të mbahet një seancë e plotë në një datë të mëvonshme. Gazeta “Daily Telegraph”, e cila raportoi për herë të parë emrin e të ndjerit, ka deklaruar se ai ka paguar 4000 euro për të kaluar Kanalin anglez me një varkë të vogël për të shkuar në Angli.
Motra e viktimës, Jola Dushku, 33 vjeçe, e cila jeton në Lombardi të Italisë, tha për gazetën: “Kur fola me të herën e fundit, më tha se kushtet në atë varkë nuk ishin të këqija, por rojet i trajtonin si kafshë. Sipas të afërmve tanë që janë në kontakt me policinë, Leonardi atë natë në orën 23 të mbrëmjes ka pasur disa probleme dhe është qetësuar nga roja. Në orën 3 të mëngjesit ai u gjet i vdekur. Nuk kemi më shumë detaje se si ai vdiq”.
Sekretari i përhershëm i Zyrës së Brendshme Sir Matthew Rycroft javën e kaluar zbuloi në një letër drejtuar deputetëve se kostoja e kontratës së Bibby Stockholm ishte 22,450,772 £. Ai deklaroi se kjo mbulonte pjesën e shërbimeve të akomodimit të anijeve të kontratës me operatorët CTM.

Maunia - e para që do të përdoret si pjesë e përpjekjeve të qeverisë për të ulur koston e akomodimit të azilit - ka kapacitet rreth 200 dhoma gjumi. Azilkërkuesit u zhvendosën fillimisht në bord në gusht, por u evakuuan disa ditë më vonë pas zbulimit të Legionella, bakteri në ujë që mund të shkaktojë sëmundje potencialisht fatale.
Emigrantët u kthyen në maune rreth dy muaj më vonë dhe sekretari i dytë i përhershëm i përkohshëm i Zyrës së Brendshme Simon Ridley u tha deputetëve në nëntor se kishte rreth 200 njerëz në bord. Plani ka bërë që opozita të ketë kritika të konsiderueshme, duke shkaktuar protesta, me aktivistët që e kanë cilësuar kampin si mizor dhe çnjerëzor. Lajmi për vdekjen e të riut solli kritika nga organizatat bamirëse, të cilat kërkuan një rishikim të pavarur dhe kritikuan kushtet në bord./ZËRI/