Aktualitet

Banane apo kokainë? Zhduket për 3 orë kamioni i “Bana-King”, shoferi i vërtetë u paraqit të nesërmen

Personi D.H, i cili është dhe pika kyçe për hetimet nuk është arritur të lokalizohet deri tani nga Policia

E.K
Banane apo kokainë? Zhduket për 3 orë kamioni i
Kamioni i BanaKing

DURRËS- Një kamion i ngarkuar me banane është zhdukur pa kaluar në doganë në datën 8 Dhjetor nga porti i Durrësit, për t’u rikthyer disa orë më vonë, me një mal me dyshime nga pas, nëse kemi të bëjmë me një rast të trafikut të kokainës.

Kamioni në pronësi të kompanisë “Bana King”, është marrë nga zona ku qëndrojnë kontenierët, dyshohet përmes dokumenteve të falsifikuara, për t’u rikthyer në port rreth 3 orë më vonë, por vulat e mbylljes së kontenierit nuk përkonin me vulat e nisjes.

Për ngjarjen, e cila nga policia dhe prokuroria e Durrësit është trajtuar për akuzat shpërdorim detyre dhe falsifikim kompjuterik, u vunë në pranga në datën 14 Dhjetor 4 persona, të cilët kishin detyra të ndryshme në portin e Durrësit.  Policia arrestoi shtetasit Alketa Kollçaku, 52 vjeç, Denis Musaj, 41 vjeç, Egnis Gojani, 35 vjeç, dhe Adelino Vila, 27 vjeç. 

Çfarë ka ndodhur në datat 8 dhe 9 Dhjetor?

Sipas Boldnews, në fillim të muajit Dhjetorit, ka mbërritur nga Ekuadori një ngarkesë me banane, e porositur nga shoqëria “Zico Company” (Bana-King).

Kontenierët kanë qëndruar në sheshin e terminalit të Portit të Durrësit, e menaxhuar nga shoqëria “Mariner Adriatic”. Ndërkohë që në datën 8 Dhjetor, një person që është identifikuar nga policia me inicialet D.H, 56 vjeç, është paraqitur tek punonjësit e kompanisë “Mariner Adriatic” si shofer i shoqërisë “Bana-King”.

Ai ka pasur në dorë disa letra, në bazë të të cilave pretendoi se janë kryer procedurat e zhdoganimit dhe kishte ardhur për të tërhequr një kontenierin me banane. Punonjësit e kompanisë private kanë lejuar lëvizjen e kontenierit. Personi D.H, pasi është larguar rreth 2-3 orë, është rikthyer sërish në Port dhe ka rikthyer kontenierin. Dyshohet se kontenieri në fjalë është dërguar në zonën e Shkozetit.

Të nesërmen, në datën 9 Dhjetor, në portin e Durrësit është paraqitur shoferi i vërtetë i Banana King, i cili ka kërkuar të tërheqë kontenierin. Ky shofer është kontaktuar nga punonjësit e Doganës, të cilët e kanë vënë në dijeni se kontenieri kishte probleme, pasi vula e mbylljes nuk përkonte me vulën e nisjes.

Në këtë moment është pezulluar i gjithë procesi, dhe pas kontrollit të ngarkesës ka rezultuar që sasia ka qenë e plotë, megjithatë ka dyshime se kutitë mund të jenë ndryshuar. Nga verifikimet rezulton se personi që ka tërhequr për herë të parë kontenierin me babane, nuk ka qenë punonjës “Zico Company” (Bana-King) dhe ai besohet se ka përdorur dokumenta të falsifikuara për tërheqjen e mallit.

Pas kësaj situate, punonjësit e “Zico Company” kanë bërë kallëzim penal, ndërkohë që nuk dihet nëse Prokuroria e Durrësit po zhvillon një hetim paralel për dyshimin e trafikut të kokainës përmes kontenierit. Edhe më herët në arkat me banane të ‘Bana King’ janë gjetur sasi kokaine, por drejtuesi Trifon Murataj, ka mohuar akuzat për përfshirje në veprimtari të paligjshme.

Personi D.H, i cili është dhe pika kyçe për hetimet nuk është arritur të lokalizohet deri tani nga Policia. 

/ZËRI 

Poll

MOS HUMB