
TIRANË- Deri në daljen e raportit final të ekspertizës mjeko-ligjore, vdekja e 3-vjeçarit Brian Spahiu pas ndërhyrjes në klinikën “Splendent” do të mbetet e mbuluar nga misteri. Babai i të miturit ka nxjerrë bllof mjekun Roland Xhaxho, pasi ky i fundit deklaroi se djali ka dalë zgjuar nga klinika ndërsa shtoi se nga familjarët nuk ka pasur asnjë telefonatë për përkeqësimin e gjendjes shëndetësore.
Në një emision televiziv Xhaxho deklaroi se informacionin për gjendjen e djalit e ka marrë nga gjyshi i fëmijës.
"Djali u përkeqësua në shtëpi. Nuk më ka marrë njeri në telefon. Telefoni im këtu është, asnjë familjar nuk më ka marrë në telefon. Informacionin ma dha gjyshi që më takoi në spital në 12 të natës"-thotë mjeku, në kontradiktë të pastër me bisedën që babai i fëmijës tashmë ka publikuar në media.
Por një ditë më parë Bledar Spahiu nxorri provat që jo vetëm e kishte marrë në telefon por dhe i kishte shkruar Xhaxhos. Në një nga mesazhet, Spahiu i shkruan që ta hapë telefonin pasi nëse i ndodh gjë djalit do të mbajë përgjegjësi.
Bledar Spahiu: Hap telefonin se e kam çuar djalin në reanimacion. Më merr urgjentisht mbrapsht se i ndodh gjë çunit mos të kemi llafe.
Më pas e ka telefonuar. Por sërish pa përgjigje.
Ndërkohë mjeku vijon të bëjë deklarata në kundërshtim me njëra-tjetrën nga dita në ditë, në tentativë për të iu shmangur përgjegjësisë.
Sa i përket hetimeve, një ditë më parë Policia e Tiranës zbarkoi në ambientet e klinikës për të sekuestruar kamerat e sigurisë. Por mjeku Xhaxho ka deklaruar se ambienti nuk kishte kamera që prej 23 shtatorit pasi ishte në një proces rregullimi. Mësohet se Policia sekuetsruar pajisjen DVR.
Ngjarja e rëndë u bë publike dy ditë më parë, por gjithçka ka filluar më 28 shtator, në orën 10:00 të paradites. I vogli u dërgua në klinikë dhe iu nënshtrua ndërhyrjes kirurgjikale për nëntë orë. Sipas dëshmive, Xhaxho u kishte garantuar familjarëve se procedura ishte një sukses dhe fëmija iu është dorëzuar familjarëve për ta marrë në shtëpi rreth orës 19:00, sipas tyre po në gjendje të pavetëdijshme.
Menjëherë pas dërgimit në banesë, djalit i është rritur edhe temperatura, gjë që ka alarmuar prindërit të cilët e kanë dërguar më pas në Pediatrinë e QSUT-së, ku Brian është intubuar për shkak se sipas mjekëve, mëlçia e tij kishte dalë jashtë funksionit.
Ai ka qëndruar në terapi, e cila nuk ka dhënë rezultat dhe më 1 Tetor, i vogli ka humbur jetën. Prindërit e fëmijës kanë kallëzuar në Polici, pasi sipas tyre shkaku i vdekjes së djalit ka qenë mbidoza e anestezisë. Policia ka nisur hetimet për ngjarjen./Zëri.ai