
GREQI- Policia greke ka vënë në pranga një shqiptar me precedentë të shumtë penalë dhe të arratisur nga një burg në Francë. Altin Ibrahimi është kapur bashkë me një shtetas grek duke transportuar mbi 1 kg kokainë.
Sipas mediave greke, përveç dokumenteve të falsifikuara, drejtuesit të mjetit i janë gjetur dhe sekuestruar edhe 2 telefona celularë, ndërsa pasagjerit të identifikuar si Agelos Paprikidis, 51 vjeç, i është gjetur dhe sekuestruar një shumë prej 3784 euro.
Gjatë kontrollit të banesës së drejtuesit të mjetit, janë gjetur dhe sekuestruar 3 peshore precize, një shumë prej 5640 euro dhe një sërë dokumentesh dukshëm të falsifikuara, ndërsa në shtëpinë e Paprikidis, u sekuestruan 5 gram lëndë kokainë dhe 24.400 euro.
Nga verifikimet e kryera nga policia, ka rezultuar se identiteti i vërtetë i drejtuesit të mjetit është Altin Ibrahimi, shtetas shqiptar, 41 vjeç, banues në Panoramatos, Ilia Pileidi 11 në Greqi.
Ai kishte një urdhër arresti nga Prokuroria e Athinës për krime të organizatës kriminale, falsifikim, dëshmi të rreme. Ai ka precedentë penalë në Greqi për organizim kriminal, falsifikim, dëshmi të rreme, zhvatje, grabitje, vjedhje të rëndë, zjarrvënie dhe armëmbajtje pa leje, ndërsa në mars 2016 u arrestua në Francë së bashku me Agelos Paprikidis për trafik droge dhe në muajin Maj të po atij viti u arratis nga burgu francez./ZËRI