
SHKODËR-Policia ka identifikuar një prej autorëve të hedhjes së tritolit në derën e banesës së Robert Gera në Shkodër, ngjarje e ndodhur në orët e para të mëngjesit të së dielës. Si autor të dyshuar policia ka shpallur në kërkim shtetasin e njohur me emrin Luigj Martini, i cili sipas efektivëve është njëri prej autorëve ndërsa po punohet për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje.
Por autori i dyshuar Luigj Martini, i cili ka ndryshuar emrin duke e bërë Pjetër Thani deklaron se prej datës 17 korrik ndodhet jashtë Shqipërisë teksa është larguar në drejtim të Francës. Ai mohon çdo lidhje të mundshme me tritolin për të cilin është i dyshuar sepse pretendon se ndodhet jashtë vendit. Duke folur për 'Ballkanweb', Martini i cili ka marrë mbiemrin e ish-bashkëshortes thotë se është në proces divorci me të dhe akuzon njerëzit e saj si autor të mundshëm të tritolit duke i cilësuar si persona me rrezikshmëri të lartë dhe të lidhur me policinë e prokurorinë.
Luigj Martini që policia e dyshon si autor shprehet se e njeh shtetasin Robert Gera, duke thënë se e ka komshi dhe e ka patur një shok të afërt. Më 12 qershor Gera sipas të dyshuarit Martini ka dërguar ish-bashkëshorten e këtij në fundit në burgun e Reçit ku ndodhej 44-vjeçari i cili nga Spanja ku është momentalisht hedh poshtë çdo akuzë ndaj tij dhe i kërkon autoriteteve shqiptare ta lënë të qetë.
“Unë jam Luigj Martini, kam ndryshuar emrin dhe mbiemrin, kam marrë mbiemrin e ish- bashkëshortes. Isha në gjumë dhe më morën në telefon më thanë që emri imn ishte bërë publik, shkuan në shtëpinë e babit tim dhe e pyetën ku i ke djemtë.
Ai u ka treguar. U bëj thirrje publike, mos hidhni baltë në datën 9 kam dalë nga burgu e pak ditë më pas kam dalë me dokumentacione të rregullta jashtë vendit. Mua kush më njeh e dinë që nuk bëj gjëra pas shpine. Nuk kam problem me asnjë njeri. Kur jam larguar nga vendi nuk ka lënë asnjë problem pas as me shtet as me privat. Mund ta kenë bërë edhe vëllezërit e saj, janë gjashtë vëllezër, për të hedhur baltë mbi mua sepse jemi në proces divorci. E kam shumë shok Gerën, me 12 qershor më ka sjellë bukë në burg bashkë me ish- bashkëshorten. E kam shok shumë, nëse do të kisha gjë me të, do i kisha mbyllur në lagje. Thirrje shtetit, ju lutem më lini të qetë. Nuk kam lidhje fare me tritolin”, u shpreh ai.
Lënda plasëse shpërtheu në orët e para të mëngjesit në lagjen “Mark Lula” në Shkodër. Policia ka marrë në pyetje familjen të cilës iu vu tritoli, por nuk kanë shprehur asnjë dyshim, duke theksuar se nuk kanë konflikt me askënd. Nga shpërthimi pati vetëm dëme materiale, ndërsa policia e cila mbërriti në vendngjarje nisi hetimet për këtë rast si dhe për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje. Pritet që në ndihmë t'u vijnë edhe kamerat e sigurisë në zonë që mund të kenë pikasur lëvizjet e dyshimta në zonë në momentin që ka ndodhur ngjarja.
Ndërkohë vetëm pak minuta përpara këtij shpërthimi në një tjeter zonë të Shkodrës, në lagjen “Kongresi i Përmetit”, rreth orës 03.32 kanë marrë flakë dhe janë djegur dy automjete tip “Benz” dhe “BMW”, në pronësi të shtetasit Erdi Kraja. /ZËRI