
SHKODËR- Shkodra do të tronditej një ditë më parë ku në ujërat e thellë dhe të furishëm të lumit Buna, një peshkatar do të gjente trupin e pajetë të Ergesa Arrazit, 9-vjeçares që u hodh nga ura mbi lumin Buna, bashkë me motrën tjetër, vëllanë dhe nënën. Arsyet e kësaj ngjarjeje të rëndë ende nuk dihen, ndërsa gjithçka mbetet e mbuluar me mister. Ndërkohë momentalisht gishti i “fajtorit” drejtohet drejt Erdgys Arrazit, babait të fëmijëve të mitur dhe bashkëshortit të Alma Arrazit.
Dyshimet për dhunë në familje
Fillimisht, referuar dhe dëshmisë së dhënë në polici nga peshkatari që gjeti trupin e pajetë të të voglës, se në trupin e 9-vjeçares Ergesa Arrazi kishte shenja dhune, Policia arrestoi babai e fëmijëve nën dyshimin e dhunës në familje, akuzë që deri më tani ai e ka mohuar. Përforcimet për dhunë në familje u rritën pas dëshmisë së dhënë nga kunata e Alma Arrazit, e cila ka dëshmuar se 31-vjeçari e rrihte gruan dhe fëmijët. Po ashtu akuza për dhunë bëjnë dhe familjarët e 39-vjeçares.
Kafja e fundit…
Pak orë para se të ndërrmerrte aktin ekstrem të vetëflijimit bashkë me tre fëmijët përdore Alma Arrazi ka pirë një kafe me kunatën e saj në një nga baret e Shkodrës. Kjo e fundit ka treguar se nuk e ka kuptuar se Alma, atë ditë mund të ndërrmerte aktin tragjik. Pas kafes, Alma ka marrë tre fëmijet e mitur dhe ka shkuar drejt vdekjes, duke u hedhur nga ura e lumit Buna në ujë.
Gjenden dy trupa
Pëlumbarët e forcave RENEA kanë bërë të mundur këtë të hënë gjetjen dhe nxjerrjen nga ujë të vajzës së dytë të Erdgys Arrazit. Lajmi u bë me dije nga ministri i Brendshëm Taulant Balla ndërsa kërkimet vijojnë. Nën ujë mbeten ende djali 4-vjeçar dhe Alma Arrazi. Kërkimet janë përqëndruar në këmbët e urës mbi lumin Buna dhe në zonën përreth. Ndërsa Policia ka kërkuar dhe ndihmën e ushtrisë, por në ndihmë të autoriteteve janë vënë dhe banorë të zonës. Kërkimet ende vijojnë, për gjetjen e të miturit dhe nënës.
Kush është Erdgys Arrazi
31-vjeçari ka kërkuar të që të marrë pjesë këtë të hënë në varrimin e vajzës 9-vjeçare, por autoritetet nuk e kanë lejuar. Deri në përfundim të hetimeve, ai dyshohet se ka shtyrë drejt vetëvrasjes gruan dhe fëmijët e mitur. Mbi të rëndon akuza e dhunës në familje dhe shkaktimin të vetëvrasjes, por ende nuk ka asgjë konkrete në këtë pistë.
Ndërkohë që gjatë ditës së sotme janë hedhur akuza të forta ndaj tij. Raportohet se Arrazi kishte një lidhje jashtëmartesore me një vajzë të re, ndërsa ushtronte dhunë ndaj gruas për ta nxjerrë nga shtëpia. Policia ka sekuestruar telefona dhe një sërë mjetesh të tjera, me qëllim zbardhjen e ngjarjes së rëndë.
Së fundi raportohet se familja e tij kishte në pronësi një servis celularësh, ndërsa vetë ai kishte filluar të merrej me importin e makinave, kryesisht nga Koreja e Jugut. Ndërsa Alma nuk punonte dhe qëndronte në shtëpi duke u kujdesur për fëmijët.
Denoncimi në polici dhe dëshmia
Ditën që bëri denoncimin në polici për zhdukjen e gruas dhe tre fëmijëve, Arrazi deklaroi se e shoqja kishte probleme mendore dhe se prej muajsh merrte ilaçe depresioni. Por kjo nuk është vërtetuar pasi Policia nuk ka gjetur asnjë kartelë të 39-vjeçares që të faktojë problemet e saj me depresionin.
E shkuara e errët
Ersgys Arrazi është një emër i njohur për policinë e Shkodrës, pasi së bashku me të vëllanë e tij, janë akuzuar si bashkëpunëtorë në vrasjen e shtetasit Endri Mustafa, 3 vite më parë. Ishte nëna e këtij të fundit ajo që do të akuzonte publikisht të dy vëllezërit se kanë përdorur të miturin Ersgys Malja për të nxjerrë në pritë djalin e saj dhe e gjitha ishte bërë për llogari të Astmer Bilalit, tashmë i arrestuar, në kuadër të operacionit Metamorfoza./ZËRI