Aktualitet

"Do iki një javë të qetësohem..."/ Çfarë deklaroi Alma Arazi në kafen e saj të fundit me kunatën

Alma ka deklaruar se do të vinte i vëllai ta merte me taksi dhe do të qëndronte tek ai për një javë.

f.t
"Do iki një javë të qetësohem..."/
Alma Arrazi me fëmijët

SHKODËR- Prokuroria e Shkodërs ka zbardhur ngjarjen e rëndë ku Alma Arrazi vendosi ti japë fund jetës së bashku me tre fëmijët e saj, duke u hedhur në lumin Buna. Nëna së bashku me tre fëmijët e mitur, para se të ndërmerte hapin ekstrem është takuar me kunatën e saj në një lokal në lagjen “Iliria”, Shkodër në datën 2 maj 2024. Në kafe kanë qëndruar rreth dy orë e më pas, Alma ka deklaruar se do të vinte i vëllai ta merte me taksi dhe do të qëndronte tek ai për një javë. Në pamjet e siguruara nëna bashkë me tre fëmijët, ka ecur në trotuarin e rrugës që të çon te “Ura e Bunës” së vjetër, në drejtim të “Kishës së Zojës”, Shkodër. Prej atij momenti askush nuk i ka parë apo të ketë patur kontakt me Almën dhe fëmijët e saj.

Arrestimi i Erdgys Arrazit

Pas kontrollit të banesës së bashkëshortit dhe babit të tre fëmijëve Erdgys Arrazit, nuk u konstatuan sende të paligjshme. Por në vijim të hetimeve bazuar në prova rezulton se Erdgysi ka ushtruar dhunë të vazhdueshme psikologjike ndaj bashkëshortes së tij, duke e ofenduar. Gjithashtu është zbuluar se Erdgys Arrazi ka patur një lidhje tjetër jashtë martesore. Në njoftimin e Prokurorisë thuhet se duke prekur rëndë dinjitetin e saj, ka shkaktuar vetëvrasjen e bashkëshortes së tij, e cila në gjendje të rënduar psikologjike dyshohet të jetë hedhur në lum bashkë me tre fëmijët e mitur. Në këto kushte është arrestuar Erdgys Arrazi si i dyshuar per kryerjen e veprës penale “Shkaktimi i vetëvrasjes”.

Pas vajzës 9-vjeçare, pasditen e sotme, rreth orës 16.00, është gjetur edhe kufoma e vajzës së dytë. Aktualisht kërkimet e policisë lokalë, forcave të ushtrisë dhe vetë banorët e zonës, vijojnë në brendësi të lumit Buna, me shpresën e gjetjes së trupave të Almës, bashkëshortes së Edgys Arrazit dhe djalit të çiftit Arrazi.

Njoftimi i Prokurorisë së Shkodrës: 

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër ka regjistruar procedimin penal nr. 511/2024, mbi bazën e materialeve procedurale të përcjella nga Komisariati i Policisë Shkodër, referuar për kryerjen e veprës penale “Shkaktimi i vetëvrasjes”, parashikuar nga neni 99 i Kodit Penal, në ngarkim të shtetasit E.A. 

Nga të dhënat e akteve të hetimit deri në këtë fazë, ka rezultuar se në datën 03.05.2024, rreth orës 17:30, është paraqitur në Komisariatin e Policisë Shkodër, shtetasi E.A., i cili ka kallëzuar largimin nga banesa të bashkëshortes së tij A.A., bashkë me tre fëmijët e tyre të mitur. Në lidhje me këtë fakt janë marrë deklarimet e personave që kanë dijeni për ngjarjen, nga ku ka rezultuar se në datën 02.05.2024, pasdite, shtetasja A.A. me fëmijët e mitur, ka shkuar për të pirë kafe me kunatën V.P., në lagjen “Iliria” Shkodër. Aty kanë qëndruar për rreth dy orë dhe më pas kanë dalë jashtë, ku shtetasja A.A. i ka thënë shtetases V.P. se do ta merrte prej aty vëllai i saj me taksi, pasi do shkonte një jave tek shtëpia e tij që të qetësohej. Më pas është ndarë nga kunata, ku shtetasja A.A. bashkë me tre fëmijët, ka ecur në trotuarin e rrugës që të çon te “Ura e Bunës” së vjetër, në drejtim të “Kishës së Zojës”, Shkodër.

Janë administruar pamje filmike të marra nga lokali në lagjen “Iliria”, Shkodër, ku dallohet momenti që shtetasja A.A. del me kunatën e saj. Më pas, duket shtetasja A.A. së bashku me 3 fëmijët e saj, duke vazhduar rrugën në drejtim të “Urës së Bunës”, në anën perendimore, ndërsa kunata e saj vazhdon nga ana lindore. Dalja nga lokali është në orën 20:10 të datës 02.05.2024.

Në vijim nga ana e shërbimeve të policisë është bërë shpallja në kërkim policor e shtetasve A.A. e datëlindjes 15.11.1985, E.A. e datëlindjes 20.10.2015, G.A e datëlindjes 17.09.2015 dhe A.A. i datëlindjes 27.03.2021. Rezulton se në datën 04:05.2024 rreth orës 22:00, shërbimet e policisë janë njoftuar se ështe gjetur trupi i pa jetë i një fëmijë të mitur, në anë të lumit Buna në fshatin Darragjat, Njesia Administrative Dajç, identifikuar si shtetasja E.A. e datëlindjes 20.10.2015. Është bërë kqyrja e kufomës së shtetases E.A. në prani të mjekut ligjor, ku nga kqyrja e jashtme nuk janë kosntatuar shenja dhune. Është vendosur kryerja e ekspertimit mjeko-ligjor për shtetasen E.A., me qëllim përcaktimin e dëmtimeve që konstatohen në trupin e viktimës dhe përcaktimin e shkakut të vdekjes.

Nga ana e policisë gjyqësore është ushtruar kontroll banese shtetasit E.A., ku nuk janë konstatuar sende të paligjshme. Deri në këtë faze janë krijuar dyshime të arsyeshme bazuar në prova se shtetasi E.A., si rrjedhojë e dhunës psikologjike të vazhdueshme ndaj bashkëshortes së tij, shfaqur në formën e ofendimeve të vazhdueshme dhe tradhtisë bashkëshortore, duke prekur rëndë dinjitetin e saj, ka shkaktuar vetëvrasjen e shtetases A.A., e cila në gjendje të rënduar psikologjike dyshohet të jetë hedhur në lum bashkë me tre fëmijët e mitur.

Në këto kushte është kryer ndalimi i shtetasit E.A., si i dyshuar per kryerjen e veprës penale “Shkaktimi i vetëvrasjes” parashikuar nga neni 99 i Kodit Penal.

Vijojnë hetimet me qëllim këqyrjen e të gjitha pamjeve filmike të kamerave përreth vendit të ngjarjes me qëllim zbulimin e itenerarit të shtetases A.A. dhe fëmijëve të mitur, vijon pyetja e personave që kanë dijeni për ngjarjen dhe kryerja e hetimeve të tjera me qëllim për të grumbulluar të dhëna të nevojshme lidhur me zbardhjen e plotë të rrethanave të faktit penal dhe për individualizimin e përgjegjësisë penale.

 

/ZËRI

Poll

MOS HUMB