Aktualitet

Trafikimi i qenieve njerëzore/ Pranga 53-vjeçarit, shkon në 20 numri i të arrestuarëve (EMRI)

Në pranga ka përfunduar Faik Matmuja, duke çuar në 20 numrin e të arrestuarëve, të cilët akuzohen për trafikimin e emigrantëve. 

f.t
Trafikimi i qenieve njerëzore/ Pranga 53-vjeçarit, shkon në 20
pamje nga arrestimi

TIRANË- Një 53-vjeçar është arrestuar në kuadër të operacionit të koduar “SAFE TRIP". Në pranga ka përfunduar Fail Matmuja, duke çuar në 20 numrin e të arrestuarëve, të cilët akuzohen për trafikimin e emigrantëve. 

Njoftimi i policisë:

Kapet dhe vihet në pranga 53-vjeçari i shpallur në kërkim, i dyshuar si organizator për trafikimin e personave të rritur dhe dhënien ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit, me qëllim përfitimin.

Në vijim të operacionit “SAFE TRIP”, nga Sektori për Hetimin e Grupeve Kriminale në Drejtorinë për Hetimin e Krimit të Organizuar në Departamentin e Policisë Kriminale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale, u bë kapja dhe arrestimi i shtetasit F. M., 53 vjeç, banues në Kukës. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim, pasi Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, kryer në formën e bashkëpunimit të veçantë, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale apo grupi kriminal”.

Operacioni vijon për kapjen e shtetasit A. M., 45 vjeç, me vendqendrim në Tiranë. Në bashkëpunim me Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, vazhdon puna për zbardhjen dhe dokumentimin e ngjarjeve të tjera ku mund të jenë përfshirë këta shtetas. Materialet procedurale i kaluan për ndjekje të mëtejshme, Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Tiranë.

Operacioni “SAFE TRIP” u finalizua pas përfundimit me sukses të një hetimi proaktiv, i cili u zhvillua për një periudhë rreth 1-vjeçare, në kuadër të të cilit, me mbështetjen dhe në drejtimin e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, u dokumentua dhe u zbardh aktiviteti kriminal i një grupi të strukturuar, i cili ishte i përfshirë në mënyrë aktive në trafikimin e personave të rritur dhe dhënien ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit.

Hetimi filloi bazuar në informacionin e grumbulluar nga Sektori për Hetimin e Grupeve Kriminale në Drejtorinë Hetimore në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, për shtetas dhe subjekte, të cilët siguronin kushte për shtetas të vendeve të ndryshme, për të mbërritur në vendin tonë, me qëllim që të vijojnë rrugëtimin e tyre, drejt vendeve të BE-së.

Një operacion mbarëkombëtar është zhvilluar më (12 prill) për evidentimin dhe ndalimin e personave që japin ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit, apo për anëtarë të grupeve të strukturuara kriminal. Të përfshirë në grupin kriminal janë 26 persona, katër prej të cilëve efektivë policie, mes tyre dhe shefi i emigracionit të parregullt, Edmond Braja, i cili dyshohet se ka qenë dhe një nga personat kyç, në këtë rrjet të trafikut të qënieve njerëzore. Veç tij në pranga kanë rënë dhe Altin Hasani, Arjel Hoxha dhe Ermal Hoxha, të tre efektivë policie. Personat në fjalë pajiseshin me vizë pune kundrejt shumave nga 500 deri në 1500 euro, dhe më pas e shfrytëzonin Shqipërinë si një pikë kalimi drejt shteteve të BE-së.

Prokuroria e Posaçme ka sekuestruar 700.000 (shtatëqind mijë) Dollarë Amerikan, 400.000 (katërqind mijë) Euro, 4 000 (katër mijë) Pound, 520.000 Lekë, 13 makina, 3 pistoleta, aparate celularë dhe pajisje kompjuterike, si dhe dokumente të ndryshëm si pasaporta të shtetasve të huaj, bileta udhëtimi, apo dokumente që përmbajnë shënime të grupeve kriminale, si dhe sende të tjera me interes për hetimin. Përkatësisht mbi 1.1 mln euro dhe dollarë. SPAK njofton se deri tani janë ekzekutuar 24 masa të sigurimit personal, për personat nën hetim, ndërkohë që për 2 personat e tjerë nën hetim, po bëhen kërkimet përkatëse./ZËRI

Poll

MOS HUMB