
SPANJË-Policia spanjolle ka reaguar pas operacionit të se premtes (7 qershor) ku në bashkëpunim me SPAK, u arrestuan në Shqipëri 26 persona të përfshirë në një organizatë kriminale të trafikut të paligjshëm të emigrantëve.
Sipas policisë spanjolle, janë kryer 47 hyrje dhe kontrolle, njëra prej tyre në Tarragona dhe pjesa tjetër njëkohësisht në territorin shqiptar, ku janë ndaluar 26 persona. Po ashtu, në territorin e Kosovës është çmontuar edhe një laborator për krijimin e dokumenteve false. Rrjeti kriminal ishte i përkushtuar edhe për shpërndarjen e dokumentacionit të rremë midis organizatave kriminale të dedikuara për kryerjene grabitjeve, trafikut të armëve dhe drogës, shkruajnë mediat vendase.
Nga hetimet e agjentëve u zbulua se një pjesë e anëtarëve të këtij rrjeti transnacional me origjinë shqiptare udhëtonin çdo javë nga Shqipëria në Spanjë, përmes Serbisë dhe Hungarisë, duke transportuar emigrantë shqiptarë me furgona drejt qyteteve të Barcelonës dhe Tarragonës. Gjithashtu, nga hetimet u bë e mundur zbulimi se në këto transferta, duke përdorur sisteme “cove”, ata kanë shfrytëzuar rastin për të transportuar si lëndë narkotike, ashtu edhe bizhuteri, armë zjarri e municione të vjedhura.
Kjo është faza e shtatë e një operacioni që filloi në vitin 2019 dhe në të cilin deri në këtë fazë të fundit janë çmontuar celula të ndryshme shqiptare dhe kosovare me gjithsej 82 persona të arrestuar në vende të ndryshme evropiane. 26 persona u arrestuan gjatë operacionit të koduar “NOMADA”. Gjatë kontrolleve u sekuestruan 7 automjete, një laborator për falsifikimin e dokumenteve, 25 mijë euro, 20 mijë paund, laptopë, kompjutera, celularë, sasi rogë, varëse floriri dhe dokumente shitblerjeje pronash. Në operacion përveç SPAK dhe Policisë së Shtetit janë angazhuar edhe autoritetet në Spanjë, Itali, Kosovë dhe SHBA./ZËRI