
TIRANË-SPAK ka lëshuar 31 urdhër-arreste me burg, 6 arrest shtëpie dhe 50 mandate kontrolli, në kuadër të luftës kundër trafikimit të emigrantëve dhe klandestinëve. Drejtori i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku, në një deklaratë për mediat, njoftoi se 26 persona janë vënë në pranga, mes të cilëve një punonjës policie.
Bëhet fjalë për shtetasit; Arnold Shehu, Amarildo Luça, Ylli Çaushaj, Bashkim Sula, Besnik Lumaj, R. Marashi, Redi Salaj, Sokol Maloku, Fatmir Stankova, Gridi Elezi, Bajram Xhaja, Sibora Rexha, Bardhyl Imeri. Po ashtu pjesë e listës së urdhër-arresteve është dhe P.Canaj, Xhelil Alla, Ylli Ibrahimaj si dhe Leonard Lama.
Kreu i Policisë së Shtetit ka zbardhur skemën se si bëhej kalimi i personave për në vendet e BE. Rrumbullaku tha se kalimi në kufi bëhej me dokumentet e tyre personale të rregullta, por dokumentet e falsifikuara niseshin me postë në hotelin ku qëndronin. Gjatë kontrolleve u sekuestruan 7 automjete, një laborator për falsifikimin e dokumenteve, 25 mijë euro, 20 mijë paund, laptopë, kompjutera, celularë, sasi rogë, varëse floriri dhe dokumente shitblerjeje pronash.
"Policia e Shtetit në bashkëpunim me policinë spanjolle pas 2 vitesh hetime realizoi operacionin Nomadët për të goditur grupin që vepronte në kontrabandimin e shtetasve. U zbatuan masat e sigurisë “Arrest me burg” për 31 shtetas për ndihmë kalimi të paligjshëm të kufirit. U arrestuar 21 shtetas, 4 persona të tjerë janë jashtë vendit. U sekuestruan: 7 automjete, një laborator për falsifikimin e dokumenteve, 25 mijë euro, 20 mijë paund, laptopë, kompjutera, celularë, sasi rogë, varëse floriri dhe dokumente shitblerjeje pronash. Subjektet kryesore falsifikonin dokumente për persona që të lëviznin jashtë vendit kryesisht në vendet e BE. Shtetasit shqiptarë largoheshin për në BE me dokumentet e tyre, por dokumentet e falsifikuara u dërgoheshin me postë në hotelet ku rrinin apo rezidencat ku vendoseshin,"-deklaroi Rrumbullaku.
Në operacion, morën pjesë Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, Departamenti i Policisë Kriminale, Forcat Kombëtare të Sigurisë, Shqiponjat dhe patrullat e përgjithshme të DVP Tiranë. Në operacion përveç SPAK dhe Policisë së Shtetit janë angazhuar edhe autoritetet në Spanjë, Itali, Kosovë dhe SHBA. /ZËRI