Aktualitet

U arrestua para 2 muajsh me drogë e armë të ftohta, humb jetën në burgun e Reçit 45-vjeçari (EMRI)

Stafi mjekësor i burgut i ka dhënë ndihmën e parë por për shkak të situatës së rëndë që ka patur menjëherë është dërguar drejt urgjencës së spitalit rajonal të Shkodrës dhe pas pak orësh ka ndërruar jetë. 

f.t
U arrestua para 2 muajsh me drogë e armë të ftohta, humb
foto ilustruese

LEZHË- Eduard Koka, 45 vjeç nga Lezha ka humbur jetën në burgun e Reçit. 45-vjeçari i cili u vu në pranga nga policia e Lezhës 2 muaj më parë për drogë, maska dhe armë të ftohta, mësohet se në orët e para të mëngjesit të 7 qershorit nuk është ndjerë mirë duke patur probleme me frymëmarrjen dhe temperaturë të lartë. Stafi mjekësor i burgut i ka dhënë ndihmën e parë por për shkak të situatës së rëndë që ka patur menjëherë është dërguar drejt urgjencës së spitalit rajonal të Shkodrës dhe pas pak orësh ka ndërruar jetë. 

Ministria e Drejtësisë ka reaguar në lidhje me vdekjen e të burgosurit në burgun e Reçit, Eduard Koka. MD shprehet se Koka nuk është ndjerë mirë dhe ka marrë ndihmën mjekësore nga autoritetet. Në njoftim thuhet se ngjarja është nën hetim, ndërsa ka shprehur ngushëllime për familjen e të ndjerit.

Njoftimi i Ministrisë së Drejtësisë:

Sot, më datë 07.06.2024 në orën 07:45, i paraburgosuri në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale (IEVP) Reç-Shkodër, Eduard Gjon Koka ka ndërruar jetë në Spitalin Rajonal të Shkodrës. Në orën 06:30 të mëngjesit, i ndjeri është ankuar tek punonjësi i rolit bazë se nuk ndjehej mirë dhe se kishte probleme me frymëmarrjen. Menjëherë janë lajmëruar infermierët e turnit dhe është dërguar në infermieri i vetëdijshëm.

Duke parë gjendjen jo të mirë shëndetësore është nisur me urgjencë në Spitalin Rajonal të Shkodrës ku ka mbërritur rreth orës 07:15 dhe ka ndërruar jetë në ambientet e spitalit rreth orës 07:45. Eduard Koka, i biri i Gjon dhe Mrike, lindur më 14.03.1979 në Reps, Mirditë dhe banues në Lezhë, ishte i martuar dhe i padënuar më parë.

Ai ishte arrestuar më datë 02.04.2024 për veprën penale të “prodhimit dhe shitjes së narkotikëve” të parashikuar nga neni 283/1 i Kodit Penal. I ndjeri ishte akomoduar në IEVP Reç me datë 02.06.2024, i transferuar nga IEVP Lezhë. Në kartelën e tij mjekësore nuk referohen probleme shëndetësore.

Ngjarja është nën hetim nga autoritetet përkatëse. Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve dhe IEVP Reç i shpreh ngushëllimet familjes e të ndjerit dhe sigurojnë opinionin publik se do të bëjnë gjithçka për të garantuar sigurinë dhe mirëqenien e të burgosurve.

Arrestimi në 3 prill 2024

Eduard Koka shpërndante kanabis në zona të ndryshme të qytetit. Nga kontrolli fizik i kryer ndaj shtetasit E. K., në lagjen “Gurra”, Lezhë, shërbimet e Policisë gjetën një sasi lënde narkotike cannabis sativa, të ndarë në doza, të gatshme për shitje. Nga kontrolli në banesën e tij, u gjetën kanabis, 7 maska dhe 4 armë të ftohta, të cilat dyshohet se përdoreshin nga 45-vjeçari për qëllime kriminale.

/ZËRI

Poll

MOS HUMB