
LEZHË- Gjykata e Apelit ditën e sotme ka marrë vendimin për të rrëzuar vendimin e Gjykatës së Lezhës. Me vendimim e marrë Apeli i hap rrugë regjistrimit si pronë e shtetit të sipërfaqeve që u tjetërsuan te Rana e Hedhun në Shëngjin, e për të cilin u dënuan disa zyrtarë përfshirë edhe ish-kryebashkiakun e Lezhës Fran Frrokaj.
Gjykata e Apelit sot ka pranuar kërkesën e Prokurorisë të kalimit në favor të shtetit të pasurive të sekuestruara me vendimin nr.304 datë 25.09.2019 dhe vendimit nr.350 date 06.11.2017 e dhënë nga Gjykata e Lezhës për efekt të procedimit penal nr.671 të vitit 2017 për 10 pasuri me sipërfaqe rreth 290 mijë metra katror.

Në shkurt të këtij viti, Gjykata e Lezhës përmes gjykatësit, Ilir Perdeda kishte rrëzuar kërkesën e Prokurorisë së Lezhës për kthimin e kësaj siperfaqeje në favor të shtetit, por tashmë është Apeli që i ka dhënë fund sagës se çfarë do të ndodhë me pronat në zonën e Ranës së Hedhun në Shëngjin.
Hetimet për tjetërsimin e pronave në zonën e Ranës së Hedhun në Shëngjin kanë nisur në 2017. Kryebashkiaku dhe 15 ish-zyrtarë të Bashkisë së Lezhës akuzohen se kanë bërë tjetërsimin e 234 mijë metrave tokë në bregdetin e Ranës së Hedhun në Shëngjin. Në prokurori u denoncua tjetërsimi i 234 mijë e 548 metër katrore tokë shtetërore ranishte./ZËRI