Aktualitet

Arrestimi i gazetarit në Tiranë, reagon Shoqata e Gazetarëve: Autoritetet të sigurojnë transparencë

Shoqata thekson se gazetarët duhet të respektojnë Kodin e tyre Etik, duke ruajtur integritetin dhe përgjegjshmërinë në raportimet e tyre. 

f.t
Arrestimi i gazetarit në Tiranë, reagon Shoqata e Gazetarëve:
foto ilustruese

TIRANË- Në lidhje me arrestimin e gazetarit në Tiranë,i cili akuzohet se në bashkëpunim me dy persona të tjerë publikonin lajme të rreme për të shantazhuar zyrtarë, një reagim ka ardhur edhe nga Shoqata e Gazetarëve Profesionistë të Shqipërisë dhe Instituti i Mediave Online e Sociale. Në reagim i bëhet thirrje autoriteteve të sigurojnë transparencë në lidhje me rastin. Ndër të tjera Shoqata thekson se gazetarët duhet të respektojnë Kodin e tyre Etik, duke ruajtur integritetin dhe përgjegjshmërinë në raportimet e tyre. 

Reagimi: 

Shoqata e Gazetarëve Profesionistë të Shqipërisë dhe Instituti i Mediave Online e Sociale ka marrë dijeni për arrestimin e gazetarit Ervis Hasanaga nga Sektori për Hetimin e Krimeve Kibernetike në DVP Tiranë. Jemi duke ndjekur nga afër zhvillimet për këtë rast dhe duke kërkuar në mënyrë aktive informacion nga autoritetet përkatëse përpara se të japim një përgjigje të detajuar. Njëlloj si Safe Journalists, i bëjmë thirrje autoriteteve që të sigurojnë transparencë dhe respektim të procesit të rregullt ligjor në trajtimin e kësaj çështje. Ndërsa e njohim nevojën për llogaridhënie, ne konsiderojmë se masa si arrestimet e gazetarëve dhe punonjësve të medias, mund të përdoren në raste ekstreme dhe duhet të jenë proporcionale dhe të justifikuara. Për më tepër, theksojmë se ashtu sikurse është thelbësore respektimi i lirisë së gazetarëve dhe roli i tyre kritik në shoqëri, është gjithashtu kritike që gazetarët të respektojnë Kodin e tyre Etik, duke ruajtur integritetin dhe përgjegjshmërinë në raportimet e tyre. Ne do të vazhdojmë të monitorojmë situatën dhe të avokojmë për një zgjidhje të drejtë dhe të ndershme.

Në pranga ka rënë R.O, 34 vjeçe, punonjëse në Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore në Drejtorinë Rajonale Durrës dhe E.H, 35 vjeç, me profesion gazetar. Në kërkim u shpall K.S, 39 vjeç, me detyrë shef sektori në Drejtorinë e Përgjithshme të AMP-së./ZËRI

 

Poll

MOS HUMB