Aktualitet

Po gjykohet nga SPAK! Tjetër akuzë për tjetërsim pronash për Fran Frrokajn

Ish-kryebashkiaku i Lezhës, Fran Frrokaj është marrë i pandehur nga Prokuroria e Lezhës për përvetësim pronash. Ai aktualisht ndodhet në telashe me drejtësinë, pasi SPAK ka kërkuar për të 4 vite burg.

D.XH
Po gjykohet nga SPAK! Tjetër akuzë për tjetërsim pronash
Fran Frrokaj

LEZHË – Ish-kryebashkiaku i Lezhës, Fran Frrokaj është marrë i pandehur nga Prokuroria e Lezhës, për tjetërsim të pronave në zonën e Kune Vain-Tale. Ai akuzohet për shpërdorim detyre. Ky procedim penal në ngarkim të Frrokajt ka nisur në vitin 2017, pas kallëzimit të bërë nga shtetasi Ardian Mlika.

Prokuroria shprehet se nga hetimet disa vjeçare rezulton se punonjës të administratës të ish-komunës së Shën Kollit në Lezhë, mes të cilëve edhe Fran Frrokaj (në atë kohë ishte kryetar komune), kanë favorizuar regjistrimin e 82 pasurive të paluajtshme për disa persona, që kanë përfituar në mënyrë të paligjshme prona publike përmes përgatitjes së AMTP-ve shtesë dhe të falsifikuara, duke i shitur më pas tek personat e tjerë.

Pronat që dyshohet se janë përfituar në mënyrë të padrejtë janë vendosur nën sekuestro preventive, ndërsa dosja penale është dërguar për gjykim pranë Gjykatës në Lezhë dhe ndaj ish-kryebashkiakut rëndon akuza e shpërdorimit të detyrës. Seanca e parë paraprake për këtë çështje nuk u zhvillua, për shkak të mungesës së palëve, duke bërë që gjyqtari i çështjes ta shtyjë gjyqin për në muajin janar të vitit 2024.

Frrokaj është personi i vetëm që është marrë i pandehur për këtë çështje, pasi Prokuroria arriti në përfundimin se për personat e tjerë përgjegjës, vepra penale është parashkruar. Kjo është çështja e tretë penale, ku Frrokaj akuzohet për tjetërsim pronash në bregdetin e Lezhës.

Në tetor 2022, Gjykata e Apelit në Shkodër e gjeti atë fajtor për tjetërsimin e 234 mijë metrave katrorëtokë në bregdetin e Ranës së Hedhun dhe e dënoi me 3 vite burg, që iu konvertua në 2 vite shërbim prove. Po ashtu, u dënua edhe ish-kryetari i qarkut Lezhë Gjon Ndoka, akuzuar për tjetërsimin e 234 mijë metra katrorë tokë në Shëngjin. Gjykata një vit më parë gjeti fajtorë edhe 15 zyrtarë e qytetarë të përfshirë në tjetërsime. Telashet për Frrokajn nuk ndalen këtu.

Po gjykohet nga SPAK! Tjetër akuzë për tjetërsim pronash
Gjykata e Apelit ne Shkoder

Ai ndodhet nën akuzë edhe nga SPAK po për tjetërsim pronash. Nga hetimet, dyshohet se janë përfituar në mënyrë të jashtëligjshme 66 mijë metra katrore tokë  në bregdetin e Lezhës, me vlerë 13 milionë euro. Struktrura e Posaçme ka kërkuar 4 vite burg për ish-kryetarin e bashkisë së qytetit verior. Ai po gjykohet me gjykim të shkurtuar, duke përfituar ulje të dënimit. Po ashtu me 4 vite burg është dënuar edhe ish-kryetari i qarkut Gjok Ndoka, ndërsa me 2 vite është dënuar ish-drejtori i Hipotekës, Artan Daja. Fran Frrokaj u arrestua në vitin 2018, ndërsa më pas u la në masën e sigurisë “arrest shtëpie”. Më 2015, Frrokaj fitoi zgjedhjet lokale në Lezhë, duke mposhtur Viktor Tushën të LSI-së. Më 2019 ai nuk hyri në garë, pasi PD bojkotoi zgjedhjet e 30 qershorit./ZËRI/

Poll

MOS HUMB