
TIRANË- Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka nisur një hetim ndaj Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit për një tender që kap vlerën e 1.7 milionë eurove. Bëhet fjalë për tenderin "laboratorëve smart" në shkollat 9-vjeçare, i cili po hetohet për shkak se mendohet se ka abuzime, por hetimet ende vazhdojnë për të zbuluar rolin e drejtuesëve të AKSHI-t në dhënien e këtij tenderi. Por edhe pse ndodhen në një moment të vështirë, të paktën sa i përket aspektit të drejtësisë, punonjësit nuk po e ndjejnë.
Nëpunësit e njësive teknike të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) dhe drejtori i përgjithshëm i saj mund të përfitojnë shtesë mbi pagën deri në 500 mijë lekë. Të paktën kështu parashikon një draft i nxjerrë për konsultim nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit, e cila argumenton se kjo është një mënyrë për të plotësuar me staf të përshtatshëm pozicione kyçe me pretendimin se oër shkak të pagave të ulëta kanë poste të paplotësuara.
"Konkretisht në nenin 34 të ligjit “Për qeverisjen elektronike” parashikohet se “Drejtori i Përgjithshëm dhe nëpunësit e njësive teknike të përmbajtjes së AKSHI-t, përveç pagës sipas kategorive të pagës së përcaktuar me vendim të Këshillit të Ministrave, përfitojnë një shtesë për natyrë të veçantë pune deri në masën 500 000 (pesëqind mijë) lekë në muaj. Masa e shtesës për natyrë të veçantë për secilën kategori përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave.”,"-shkruhet në një pjesë të draftit që ka publikuar "Monitor".
Mesa duket, edhe pse nën hetim nga SPAK, asgjë nuk ka ndryshuar brenda institucionit. Ndërkohë vetëm pak javë më parë, Byroja Kombëtare e Hetimit pati një aksion për tenderin, për të cilin AKSHI ndryshoi kriteret. Në tender parashikohej pajisjen e rreth 216 shkollave në rang vendi me klasa laboratorike. Këto klasa duhet të kishin gjithsej 14-19 laptopë dhe pajisje të tjera për nxënësit, me kosto 80 mijë euro për çdo klasë. Një çmim jashtëzakonisht i fryrë, duke marrë parasysh kostot e tregut. Në garë për tenderin ishin "Sineteza" në bashkëpunim me "Fredi elektronik", të cilat të dyja bashkë kanë kërkuar 229 milionë lekë ose 1 milion e 909 mijë euro për të realizuar kontratën. Një tjetër subjekt ka qenë "PC store" me ofertë 262 milionë lekë ose 2.1 milionë euro, por fituese ka dalë "Albascan" që kërkoi më shumë para sesa oferta më e ulët.
Pra tenderi u fitua nga kompania Albascan, që deri në vitin 2017 kishte një xhiro të papërfillshme. Kompania u krijua në shkurt të vitit 2017 nga dy ortakë, Sokol Cane dhe Etmira Dashi. Të dy këta aksionerë zotëronin nga 50 për qind të aksioneve. Gjatë kohës që ishte në pronësinë e tyre kompania mbeti një biznes i vogël me xhiro të papërfillshme./ZËRI