Aktualitet

Takim pa njoftuar Denajn dhe MEJP tek Ambasada e Kinës, dorëhiqen 2 zyrtarët nga AKU

Takimi ishte caktuar pa e vënë në dijeni ministren e linjës, atë të Bujqësisë, Anila Denajn dhe Ministrinë e Punëve të Jashtme.

k.m.
Takim pa njoftuar Denajn dhe MEJP tek Ambasada e Kinës, dorëhiqen 2
Foto ilustruese

TIRANË- Autoriteti Kombëtar i Ushqimit tashmë "funksionon" pa 2 nga drejtuesit kryesorë, të cilët janë shkarkuar. Ndërsa të tjerë, priten shkarkime të tjera në ditët në vijim. Sipas burimeve për "OraNews", nga AKU janë larguar nga detyra me dorëheqje: drejtori i Menaxhimit të Riskut, Martin Jorgaqi dhe drejtori i Komunikimit të Riskut dhe Monitorimit, Leonard Muskaj.

Nga të njëjtat burime, pretendohet se dorëheqja e tyre ka ardhur pas një takimi të zhvilluar në Ambasadën e Kinës në Shqipëri. Takimi ishte caktuar pa e vënë në dijeni ministren e linjës, atë të Bujqësisë, Anila Denajn dhe Ministrinë e Punëve të Jashtme.

Ende nuk dihet arsyeja e vizitës së 2 drejtuesve të AKU në ambasadën kineze, por pas marrjes së këtij informacioni është mbledhur menjëherë Komisioni Disiplinor në AKU.

"Pas mbledhjes me dyer të mbyllura Martin Jorgaqi dhe Leonard Muskaj kanë dhënë dorëheqjen. Situata rëndohet akoma më shumë pasi edhe Drejtori i Komanduar i AKU Manush Kullolli ishte në dijeni të këtij takimi, por nuk ka informuar eprorët,"-shkruhet në artikullin e publikuar nga "OraNews".

Tashmë, mbetet për t'u parë nëse largimet e Jorgaqit dhe Muskajt do të pasohen nga të dorëhequr të tjerë./ZËRI

Poll

MOS HUMB