
TIRANË- Detaje të reja janë zbardhur në lidhje me dëshminë e dhënë para prokurorëve të të penduarit të drejtësisë Artan Tafani, dëshmi që fundosën bandën e Laert Haxhiut dhe zbardhen 6 vrasje. Sipas tij, Haxhia do të vriste dhe atë siç vrau këshëririn e tij Fridman Xhaferajn.
Këtë të fundit pas vrasjes e hodhën në rezervuar dhe trupi u gjet vetëm pas 12 ditësh. Tafani shprehet se Laert Haxhiu kështu vepronte me ata që i kishin thyer besimin.
Gazetari Elton Qyno shkruan se një fakt të tillë e kishte nuhatur dhe Artan Tafani, i cili i ka treguar prokurorit Kreshnik Ajazi, se kishte kuptuar që besimi i Laert Haxhiu ishte lëkundur karshi tij, dhe ai ka dyshuar se vetë grupi ku bënte pjesë dhe kryente krime, po e ndiqte për ta vrarë.
Kjo dyshohet të ketë qenë dhe arsyeja e “zbërthimit” të tij. Tafani kishte frikën e eliminimit të tij me të njëjtat forma siç Laert Haxhiu, kishte vrarë shokët e tjerë.
Operacioni “Never Forget”
Përmes dëshmisë së dhënë, Tafani ka zbardhur vrasjen e: Alban Semakut, 17 Tetor 2021;Çajup Selimit, 1 Qershor të 2021; Albi Bashaliu, 27 Dhjetor 2021; Fridmand Xhaferrajt, 13 Maj 2021; Lulzim Qorrit, 12 Dhjetor 2018 (Athinë) dhe Dikens Halilit, 3 Tetor 2021 (Athinë).
Pas rrëfimit të Tafanit janë vënë në pranga 12 persona në kuadër të operacionit ‘Never Forget’ si dhe katër të tjerë janë shpallur në kërkim. Organizatori i krimeve të rënda, sipas Tafanit, është Laert Haxhiu që ndodhet pas hekurave në Greqi./Zëri