KOSOVË – Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur sot akuzë në Gjykatën e Prishtinës, kundër personit me inicialet M.J. Gjykimi po bëhet në mungesë të personit që akuzohet.
Akuza thotë se personi me inicialet M.J si pjesëtar i forcave të policisë të Ministrisë të Punëve të Brendshme të Serbisë, në kundërshtim me rregullat ndërkombëtare humanitare, në vazhdë të një sulmi të gjerë dhe sistematik nga forcat ushtarake, policore dhe paramilitare serbe, kundër popullsisë civile shqiptare, në territorin e komunës së Ferizajt, duke ditur pasojat e një sulmi të tillë, duke përdorur dhunë dhe veprime të tjera çnjerëzore, në bashkërendim me persona të tjerë, deri tani të paidentifikuar, ka kryer dhunë seksuale ndaj femrës shqiptare, e cila në kohën që ka rënë pre e dhunës ka qenë e mitur.
Kjo ngjarje ka bërë që viktima të pësojë lëndime të rënda trupore dhe trauma të përhershme psikike. “Me këto veprime të tij, i pandehuri M.J, ka konsumuar veprën penale “Krime lufte ndaj popullsisë civile”, që ishte neni 142 i Kodit Penal të Jugosllavisë, që ishte në fuqi kur është kryer vepra penale, aktualisht e inkuadruar si “Krimet kundër njerëzimit” nga neni 143 paragrafi 1 nën paragrafi 1.7 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, njofton Prokuroria Speciale.
Prokuroria Speciale i ka propozuar Gjykatës kompetente që të bëhet gjykim në mungesë, pasi personi që po kërkohet nuk është gjendur.
Përdhunimet gjatë luftës, një plagë sociale
Tema e përdhunimeve gjatë luftës në Kosovë është diskutuar gjerësisht nga opinioni i gjerë, deri në nivelet më të larta politike. Edhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka folur shpesh për temën e grave të dhunuara seksualisht gjatë luftës në Kosovë. Në Ditën ndërkombëtare për eliminimin e dhunës seksuale në konflikt më 2022, kryeministri i Kosovës kishte bërë nderime tek memoriali ‘Heroinat’, duke kujtuar viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovës.
“Sot nderojmë të gjitha ato të cilat u përdhunuan dhe me kurajon e tyre treguan të vërtetën për gjenocidin e Serbisë në Kosovë. Në veçanti sot dëshirojmë që të falënderojmë dhe shprehim mirënjohjen tonë të thellë për zonjën Vasfije Krasniqi Goodman e cila ju dha kurajo shumë grave që të ndjekin shembullin e saj dhe të dëshmojnë për krimin e Serbisë. Por qysh në vitin 2013 kemi pasur shembullin e Marte Tunajt, e cila fatkeqësisht ka ndërruar jetë në maj të vitit 2016 dhe e cila e pat thyer heshtjen duke rrëfyer rastin e saj”, kishte deklaruar Kurti.
Kurti ka thënë se shteti i Kosovës dhe Qeveria është gjithmonë pranë viktimave të mbijetuara gjatë luftës në Kosovë nga dhunimi seksual. “Me gjithë kapacitetin tonë, me aftësitë dijet tona, po përpiqemi që t’iu dalim në ndihmë. Në njërën anë t’i inkurajojmë rrëfimet për gjenocidin e Serbisë, sepse e vërteta na ndihmon të gjithëve edhe si individ edhe si shoqëri, por gjithashtu në anën tjetër kjo edhe faktorëve ndërkombëtarë ua bën me dije se nuk duhet të harrojmë një luftë e cila ka ndodhur në jetën tonë, në brezin tonë, pikërisht tashmë, kur po përsëriten shumë prej këtyre imazheve makabër në Ukrainë për shkak të invazionit rus dhe agresionit ushtarak atje”, kishte deklaruar Kurti më tej. Kreu i qeverisë së Kosovës kishte deklaruar se përdhunimet kanë ndodhur, vetëm pse jemi shqiptarë. /Zëri.ai/