Aktualitet

Stuhia/ Agjencia e Mbrojtjes Civile: Strukturat operacionale në gatishmëri

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile u bëri thirrje të gjithë bashkive të mobilizojnë strukturat operacionale dhe të mbajnë në gatishmëri mjetet për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve në raste nevoje.

k.m.
Stuhia/ Agjencia e Mbrojtjes Civile: Strukturat operacionale në
Tiranë

TIRANË- Stuhia "Ciaran" ka prekur sot Shqipërinë dhe priet që gjatë dy ditëve të ardhshme vendi ynë do të përfshihet nga reshje me intensitet të lartë. Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile i bëri apel sot të gjithë bashkive të mobilizojnë strukturat operacionale dhe të mbajnë në gatishmëri mjetet për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve në raste nevoje.

Ndërkohë Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile iu drejtua edhe qytetarëve duke iu thënë se “siguria është prioritare".

"Nëse hasni në ndonjë situatë emergjente, ju lutemi të kujdeseni për veten tuaj dhe për të tjerët. Numri i emergjencave 08000911 është gati për t’ju ndihmuar dhe për t’ju ofruar këshilla në kohë reale. Në kohët e sfidave, ndihma ndaj njëri-tjetrit është thelbësore. Le të bëhemi një komunitet i përgjegjshëm dhe të jemi në ndihmë të njëri-tjetrit në çdo moment”, tha AKMC.

Sipas parashikimit nga ekspertët e Institutit të Gjeoshkencave IGJEO ditën e shtunë, 4 nëntor, priten reshje intensive në qarqet Korçë, Vlorë dhe Gjirokastër, ndërsa në qarqet e tjerë priten reshje mesatare deri lokalisht intensive të shoqëruara me shtrëngata. Intesiteti i reshjeve pritet të jetë më i lartë në pjesën e parë të ditës.

Stuhia ‘Ciaran’, e cila ka prekur disa vende të Europës, ka përfshirë ditën e sotme edhe vendin tonë duke krijuar vështirësi të madhe në qarkullimin e mjeteve. Rreshje të pazakonta shiu përfshinë kryeqytetin dhe kanë përmbytur disa rrugë në Tiranë. Situata është problematike dhe në akset rrugore ku autostrada Tiranë-Durrës është bllokuar nga trafiku, ndërsa rruga e Arbrit ishte thuajse e pakalueshme për dy orë për shkak të vërshimit të ujit dhe dherave. Në qytetin e Vlorës dhe Durrësit kushtet e përkeqësuara atmosferike sollën edhe pezullimin e lundrimit të mjeteve të vogla dhe anijeve të peshkimit. Kushtet meterologjike dhe lagështira e madhe në rrugë është bërë dhe shkak i aksidenteve në vend ku dy persona kanë humbur jetën. Kushtet e motit sollën probleme edhe me energjinë elektrike në disa qytete./Zëri.ai

Poll

MOS HUMB