
TIRANË- Tensione brenda xhamisë "Dine Hoxha" në Tiranë. Në një video që qarkullon në rrjetet sociale, e cila nuk dihet se kur është xhiruar, besimtarët kanë tentuar që të përzënë nga xhamia myftiun e Tiranës, Laurent Lulin. Siç duket edhe nga pamjet e mëposhtme, një grup prej 4-5 personash kundërshtuan mbrëmë praninë e Myftiut të Tiranës në xhaminë “Dine Hoxha”. Edhe pse aktiviteti i djeshëm ishte i njoftuar nga imami Ahmed Kalaja, disa besimtarë dolën kundër myftiut Lulit. Siç duket edhe nga videot e shpërndara në rrjetet sociale, pas fjalës së tij, imami Kalaja ka ftuar Myftiun Lauren Luli që të flasë për besimtarët e pranishëm, por menjëherë besimtarët janë ngritur në këmbë dhe kanë nisur që të bërtasin: Gylenist, terrorist, nuk je myfti, je pushtues i pozicionit të myftiut, nuk të duam, je gylenist.
Situata agravoi, por pas ndërhyrjes së imamit Kalaja, gjithçka u qetësua.
“Ne jemi mbledhur këtu për të folur për Zotin, namazin dhe besimin. Kush do të zgjidhë problemet e veta me KMSH, le t’i zgjidhë përmes ligjit dhe institucioneve të shtetit shqiptar, jo këtu. 4-5 veta nuk përfaqësojnë as imamin e as xhematin (besimtarët). Imami fton dikë në besën e vet dhe besimtarët duhet t’i binden imamit të tij,”- tha Kalaja duke i kërkuar falje të pranishmëve për çfarë ndodhi.
Videoja po bëhet virale në rrjet, ndodhi pikërisht dje kur kryeministri Edi Rama ndodhej në Turqi për një vizitë zyrtare.
Atje, edhe njëherë, presidenti turk, Recep Tajip Erdogan, i kërkoi kreut të qeverisë që të 'spastronte' Shqipërinë nga gylenistët. Megjithatë nuk dihet nëse videoja e bërë virale është xhiruar po dje dhe ka lidhje me porosinë që Erdogan përcolli edhe njëherë nga Ankaraja./ZËRI