
TIRANË- Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka nisur një procedim penal ndaj gjyqtares së GJKKO-së, Irena Gjoka. Lajmi është nga konfirmuar nga Prokuroria e Posaçme (SPAK) në një përgjigje që institucioni i ka kthyer avokates Adriana Kalaja, e cila bëri kallëzimin për gjyqtaren. Në shkresën e dërguar për Kalanë, SPAK bën me dije se çështja është regjistruar më 5 qershor të këtij viti për veprën penale: Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve.
Dyshimet për një dënim të gjyqtares Gjoka në Greqi qarkulluan edhe një vit më parë përmes mediave greke. Të njëjat pretendimet janë ngritur edhe nga kryedemokrati Sali Berisha dhe ish-kryebashkiaku i Himarës tashmë eurodeputeti i "Neodemokracia", Fredi Beleri. Por pas aludimeve, e pyetur nga BIRN mbi vendimin e dënimit, Gjoka e mohoi kategorikisht.
“Absolutisht nuk jam e dënuar nga asnjë nga autoritetet e drejtësisë greke,” tha gjyqtarja Irena Gjoka përmes telefonit, ndërsa i përcolli BIRN disa dokumente të përcjella nga autoritetet gjyqësore greke të Athinës, ku shkruhet se nuk rezultojnë të dhëna për ndonjë proces penal ndaj Irena Gjokës, e cila ka mbajtur më parë edhe mbiemrat Shpata dhe Maneku. Sipas saj, ishin intimidim dhe pengim në ushtrimin e detyrës. Tashmë duket se rasti duket se ka vënë në lëvizje institucionet e drejtësisë./ZËRI