
TIRANË- Gjykata e Lartë ka caktuar datën 5 Mars, për të zhvilluar seancën ku do të shqyrtohet kërkesa e SPAK, për të rikthyer në qëli Jamarbër Malltezin.
Apeli i Posaçëm zbuti masën e sigurisë së caktuar më herët nga Gjykata e Posaçme, duke i caktuar dhëndrit të ish-kryeministrit masën “arrest në shtëpi”.
Jamambër Malltezi akuzohet si i përfshirë në aferën korruptive të privatizimit të ish-kompleksit “Partizani”. Për po të njëjtën çështje, SPAK ka caktuar masën “arrest në shtëpi” për ish-kryeministrin, Sali Berisha.
Të dy kanë mohuar në mënyrë kategorike akuzat që rëndojnë mbi ta, duke e konsideruar si gjyq politik. Ndërkohë që vetë Berisha ka bërë rekurs në Gjykatën e Lartë, ku kërkon heqjen e masës së sigurisë të arrestit të shtëpisë.
Malltezi u vu në pranga në datën 21 Tetor, dhe tashmë vijon betejën e tij ligjore nga masa e arrestit të shtëpisë. Ai akuzohet për korrupsion dhe pastrim parash, për privatizimin e ish-kompleksit Partizani, në truallin e të cilit dhëndri i ish-kryeministrit Sali Berisha ka ndërtuar 17 pallate. Avokatët kërkojnë që Malltezi të mos ketë asnjë masë sigurie me argumentin se nuk ka kryer asnjë vepër penale për të cilën prokuroria ka ngritur dyshimet.
/ZËRI