Aktualitet

Sot mbahet protesta e 25-të! Protestuesit 'sfidojnë' shiun dhe mblidhen tek Kryeministria (VIDEO)

Prej më shumë se 3 javësh, qytetarët kanë vijuar me thirrjet e tyre ndaj kryeministrit Edi Rama për dorëheqje.

zh.ll
Sot mbahet protesta e 25-të! Protestuesit 'sfidojnë' shiun
protesta-qytetaret te kryeministria

TIRANË- Këtë të mërkurë mbahet protesta e 25-të radhazi e qytetarëve. Fillimisht, tubimi nisi në sheshin "Skënderbej", mdërsa më pas, pavarësisht reshjeve të shiut, protestuesit nisën marshimin drejt Kryeministrisë. Ata janë mbledhur para Kryeministrisë, ku mes thirrjeve dhe fjalimeve kërkojnë dorëheqje e qeverisë Rama dhe qeveri teknike jo më pak se 12 muaj.

Pas fjalimeve para Kryeministrisë, protestuesit kanë nisur marshimin në rrugët e Tiranës.

Prej më shumë se 3 javësh, qytetarët kanë vijuar me thirrjet e tyre ndaj kryeministrit Edi Rama për dorëheqje. Ata kanë ngritur shqetësime që lidhen me korrupsionin, keqqeverisjen, mungesën e transparencës dhe fenomenin e emigrimit të të rinjve.

Në protestën e djeshme, qytetarët njoftuan se në datën 4 korrik, diaspora do të rikthehet në Tiranë për t'iu bashkuar protestës. 

Ndërkohë, kujtojmë se në ditën e 23-të të saj, grupi organizator publikoi pesë kërkesa, që përfshijnë dorëheqjen e kryeministrit dhe qeverisë, krijimin e një qeverie teknike tranzitore, ndryshime kushtetuese përmes referendumit, si dhe anulimin e disa ligjeve dhe paketave të konsideruara problematike nga organizatorët.

Konkretisht kërkesat:

1. Dorëheqjen e panegociueshme të kryeministrit dhe qeverisë.

2. Krijimin e një qeverie teknike tranzitore, jopartiake, me mandat 12-mujor.

3. Ndryshime kushtetuese, ku të gjithë shtetasit shqiptarë të jenë të barabartë para ligjit, si dhe miratimi i saj me referendum popullor, duke përfshirë ndër të tjera ndryshimin e Kodit Zgjedhor, ndryshimin e ligjit për financimin e partive politike dhe organizatave të ndryshme, kufizimin e ushtrimit të detyrës së kryeministrit në jo më shumë se dy mandate të plota ose të pjesshme gjatë gjithë jetës politike të një individi.

4. Paralelisht, ne nuk heqim dorë nga kërkesat fillestare: anulimi i ndryshimeve të bëra në ligjin e zonave të mbrojtura, anulimi i ndryshimeve të bëra në ligjin për trashëgiminë kulturore, shfuqizimi i Paktit të Maleve, si dhe shfuqizimi i statusit të kuadrit ligjor për investimet strategjike.

5. Një kontratë e re sociale mes qytetarëve dhe shtetit, e cila do të përpilohet pas konsultimit me intelektualë, ekspertë teknikë dhe qytetarë apartiakë të propozuar nga sheshi i protestës.

Në tubimet e fundit është vënë re edhe pjesëmarrja e shqiptarëve të ardhur nga diaspora, të cilët i janë bashkuar thirrjeve të protestuesve në mbështetje të kauzës së tyre./ZËRI

Poll

MOS HUMB