
DURRËS- Gjykata e Durrësit konfirmoi masën e sigurisë “arrest në burg” për Indrit Allamanin, 48 vjeç, i cili akuzohet se kishte mashtruar me TVSH duke përfituar para. Në seancën e sotme, gjyqtari Paulin Çera konfirmoi se masat e sigurimit për të gjithë të akuzuarit do të mbeten në fuqi, pavarësisht përpjekjeve të mbrojtjes për lehtësim të tyre. Përveç Allamanit, i cili është arrestuar, në kërkim janë Indrit Visha, 35 vjeç, Redion Sefa, 22 vjeç, dhe Lovjano Topi, 19 vjeç. Të gjithë janë përfshirë në një skemë mashtrimi që i ka shkaktuar shtetit një dëm prej mbi 127 milionë lekësh.
Ndërkohë, po sot, Gjykata miratoi kërkesën e prokurorisë për masat e sigurimit, duke caktuar “arrest në shtëpi” për Albana Pajën dhe “detyrim paraqitjeje” për Brikena Çelën dhe Aldo Myftarin, të akuzuar për moskallëzim krimi.
Por si funksiononte skema e mashtrimit?
Sipas Prokurorisë, hetimet kanë zbuluar manipulimin e deklaratave për TVSH, përmes përdorimit të faturave të rreme dhe transaksioneve fiktive. Pronarët e kompanive: Redion Sefa, Indrit Allamani, Aldo Myftari dhe Lovjano Topi për çdo vit bënin deklarimet e shitjeve, duke prerë fatura edhe për shërbime të pakryera. Kështu nga Hetimi Tatimor i Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve është zbuluar mashtrimi që i ka shkaktuar shtetit një dëm prej miliarda lekësh. Më konkretisht, subjekti “3D Construction” me administrator biznesmenin e shpallur në kërkim Indrit Visha dhe pronare Edlira Vishën, kishte në pronësi vetëm automjete luksoze, Mercedes Benz AMG 63, Mercedes Benz AMG GT 43, Porsche Cayenne, Land Rover apo BMë X5.
Pra, pavarësisht se objekti i veprimtarisë së kësaj kompanie ishte në fushën e ndërtimit, në pronësi nuk kishte asnjë automjet që përdoret për aktivitetin e ndërtimit. Por kishin blerë makina luksoze që dyshohet se janë përfituar nga pastrimi i parave përmes lëshimit të faturave fiktive me TVSH./ZËRI